Maqedoni
Paratë e fshehura në mur, mbrojtja e Ristovit kundërshton akuzën
03.11.2026 16:10
Mbrojtja e gjyqtarit Gjoko Ristov, i akuzuar pasi në shtëpinë e prindërve të tij u gjetën 350 mijë euro në mur...

Mbrojtja e gjyqtarit Gjoko Ristov, i akuzuar pasi në shtëpinë e prindërve të tij u gjetën 350 mijë euro në mur, paraqiti sot si dëshmi edhe mendimin juridik të profesorit universitar Gordan Kalajxhiev. Sipas këtij mendimi, vepra penale “Përfitim dhe fshehje e kundërligjshme e pasurisë” nuk mund t'u ngarkohet gjyqtarëve. Mbrojtja pretendon se ata nuk përfshihen në kategoritë e personave zyrtarë të përcaktuara me ligj për këtë vepër penale.
“Mbrojtja pretendon se një gjyqtar nuk mund të përfshihet në kuadrin ligjor të kësaj vepre penale, pasi dispozita u referohet personave zyrtarë dhe të autorizuar në institucione publike, ndërmarrje publike ose persona juridikë me kapital shtetëror, ndërsa gjyqtarët nuk bëjnë pjesë në asnjërën prej këtyre kategorive.”, - deklaroi avokati i Ristovit, Zvonko Davidoviq.
Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva, e cila pritet të marrë drejtimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e interpretoi këtë mendim juridik si ulje të nivelit të kulturës juridike në vend.
“Gjykatën e detyrojnë faktet dhe provat e paraqitura gjatë seancës. Mendimet juridike të paraqitura nën autoritetin e dikujt nuk e detyrojnë gjykatën dhe është vërtet joserioze që ky lloj materiali të përdoret si provë, kur në thelb nuk është provë.”, - theksoi prokurorja, Iskra Haxhi Vasileva.
Ndërkohë, ekspertizat e ADN-së për paratë e gjetura dhe ekspertiza, të cilat mbrojtja i konsideron thelbësore për të kundërshtuar akuzën, pritet të paraqiten në seancën e ardhshme gjyqësore.
ARTAN NUHIU
