Basketboll

Oklahoma City tërheq fanellën e Westbrook

03.11.2026 17:45

Oklahoma City Thunder ka vendosur të nderojë një prej legjendave të klubit, Russell Westbrook...

Oklahoma City Thunder ka vendosur të nderojë një prej legjendave të klubit, Russell Westbrook, duke tërhequr fanellën me numrin 0 që ai mbajti gjatë karrierës së tij me këtë skuadër. Ceremonia do të zhvillohet më 7 shkurt, në pushimin e ndeshjes së kampionatit ndaj Neë York Knicks.
 
Basketbollisti 37-vjeçar njoftoi tërheqjen nga sporti në muajin gusht, pas 18 sezonesh në NBA. Westbrook largohet si një prej lojtarëve më të veçantë në historinë e ligës, duke mbajtur rekordin për numrin më të madh të ‘triple-double’, me 209 të tilla. Ai u bë një ikonë e Oklahoma City, ku luajti për 11 sezone, nga viti 2008 deri në vitin 2019. Në vitin 2017 fitoi çmimin MVP të NBA-së, ndërsa udhëhoqi Thunder në fazën play-off në nëntë sezone, duke arritur katër herë në finalet e Konferencës së Perëndimit dhe një herë në finalen e madhe, në vitin 2012, ku Oklahoma u mposht nga Miami Heat. 
 
“Jemi jashtëzakonisht krenarë që tërheqim fanellën e Russell. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në qytet dhe në shtet gjatë periudhës së tij me skuadrën, ndërsa përkushtimi ndaj komunitetit ka vazhduar edhe më pas”, deklaroi presidenti i klubit, Clayton Bennett. 
 
Sezoni 2016-2017 ishte kulmi i karrierës së Ëestbrook. Ai regjistroi mesatare prej 31.6 pikësh, 10.7 reboundesh dhe 10.4 asistimesh për ndeshje, duke realizuar 42 ‘triple-double’, një rekord për atë sezon, që i siguroi edhe çmimin MVP.
 
Westbrook, i cili u zgjodh me numrin e katërt në draftin e vitit 2008, ka luajtur gjithashtu për skuadra si Houston, Washington, Los Angeles Lakers, Clippers, Denver dhe Sacramento. Megjithatë, Oklahoma City mbetet vendi ku ai shkroi historinë e tij më të madhe. Me 821 ndeshje, 18.859 pikë, 5.760 ‘rebound’ dhe 6.897 asistime, Ëestbrook mban rekordet e klubit në të gjitha këto kategori statistikore.