Maqedoni

Komisionet parlamentare diskutojnë ndryshimet në ligjet për mediat dhe sigurimin pensional

04.11.2026 10:01

Disa propozim-ligje nga fusha e mediave, sigurimit pensional, politikës sociale dhe bujqësisë janë sot në rend dite të komisioneve parlamentare....

Në Kuvend sot vazhdon puna e disa komisioneve, të cilat do të shqyrtojnë propozim-ligje nga fusha e mediave, politikës sociale, sigurimit pensional, bujqësisë dhe fusha të tjera.
 
Në rend dite të Komisionit për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor janë ndryshimet e Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, në lexim të dytë. Për propozim-ligjin është dorëzuar një amendament nga deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
 
Me ndryshimet propozohet një model i ri për financimin e veprimtarisë radiodifuzive, me qëllim sigurimin e një stabiliteti dhe parashikueshmërie më të madhe financiare. Parashihet që shuma e mjeteve të përcaktohet për një periudhë pesëvjeçare, ndërsa financimi të sigurohet nga Buxheti i shtetit, në vlerë prej një për qind të të ardhurave tatimore të realizuara, bazuar në llogarinë përfundimtare të miratuar së fundmi.
 
Pas përfundimit të çdo periudhe pesëvjeçare, shuma e mjeteve do të rishqyrtohet dhe do të përcaktohet sërish për ciklin e ardhshëm pesëvjeçar.
 
Ndërkohë, Komisioni për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini do të diskutojë ndryshimet e ligjeve për sigurimin e detyrueshëm dhe vullnetar pensional me financim kapital, si dhe ndryshimet e Ligjit për Familjen. Të tria propozim-ligjet janë në lexim të parë.
 
Seancë do të mbajë edhe Komisioni Ligjvënës-Juridik, i cili do të shqyrtojë disa propozim-ligje, përfshirë ndryshimet e ligjeve për sigurimin pensional, familjen, bujqësinë dhe zhvillimin rural, Fondin për Sigurimin e Depozitave, si dhe propozim-ligjin për shfuqizimin e Ligjit për Koordinimin e Bashkësisë së Sigurisë dhe Inteligjencës.