Maqedoni
Vetëqeverisja lokale dhe prokurimet publike në fokus të takimit me BE-në
04.11.2026 10:22
Në takim marrin pjesë 22 delegatë nga vendi dhe Bashkimi Evropian....

Shkupi sot është nikoqir i takimit të 26-të të Komitetit të Përbashkët Konsultativ ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Komitetit të Rajoneve të Bashkimit Evropian. Në fokus të diskutimeve janë roli i autoriteteve lokale në procesin e anëtarësimit në BE dhe prokurimet publike.
Takimi organizohet nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), ndërsa Komiteti përbëhet nga 22 delegatë, nga 11 prej Maqedonisë së Veriut dhe Komitetit të Rajoneve të BE-së, të zgjedhur nga radhët e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunalë.
Në sesionin e parë do të diskutohet për procesin e anëtarësimit të vendit në BE dhe rolin e vetëqeverisjes lokale në zbatimin e reformave. Sesioni i dytë do t'u kushtohet prokurimeve publike, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe të huaj.
Deklaratat për mediat janë paralajmëruar për në orën 11:00, kur do të flasin përfaqësues të BNJVL-së, Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Komitetit të Rajoneve të BE-së.
