Maqedoni
Banka Popullore: Nesër, Banka ALTA do të nisë pagesat pa kartela bankare
04.11.2026 10:34
Banka Popullore ka njoftuar se nga e enjtja, 5 nëntor, qytetarët që kanë llogari në Bankën ALTA ShA Manastir...

Banka Popullore ka njoftuar se nga e enjtja, 5 nëntor, qytetarët që kanë llogari në Bankën ALTA ShA Manastir, por nuk posedojnë kartela bankare, do të mund të tërheqin mjete financiare drejtpërdrejt nga sportelet e filialit kryesor të bankës në Manastir.
Për këtë qëllim, në filialin që ndodhet në rrugën “Dobrivoje Radosavleviq”, numër 21, do të hapen disa sportele. Përparësi do t'u kushtohet pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës sociale, të cilët i pranojnë mjetet përmes llogarive bankare, por nuk kanë kartela për tërheqjen e tyre.
Sipas njoftimit, qytetarët do të mund të tërheqin deri në 20 mijë denarë, që është shuma maksimale e lejuar për një periudhë dyjavore.
Nga 6 nëntori, përfshirë edhe të shtunën, më 7 nëntor, filiali do të punojë në dy ndërrime, me qëllim që t'u shërbejë sa më shumë klientëve.
Pagesat do të realizohen gjatë disa ditëve, sipas një orari të përcaktuar. Qytetarët do të njoftohen përmes mesazheve SMS për ditën dhe orën kur duhet të paraqiten në bankë. Banka Popullore u bën thirrje që t'u përmbahen termineve të caktuara për të shmangur grumbullimet dhe pritjet e gjata.
Për personat që nuk do të kenë mundësi të paraqiten në terminin e caktuar, do të sigurohen termine shtesë. Sportelet do të shërbejnë vetëm për tërheqjen e parave të gatshme dhe nuk do të kryejnë transaksione të tjera.
Ndërkohë, Banka Popullore njofton se po përgatitet hapja e sporteleve për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale edhe në qytete të tjera të vendit, për çka qytetarët do të informohen në ditët në vijim.
