Pakistan, 800 viktima nga i nxehti përvëlues
Rreth 800 njerëz kanë humbur jetën nga vapa që ka përfshirë pjesën jugore të Pakistanit ditët e fundit...

Pjesa më e madhe e viktimave janë regjistruar në Karaçi, ku qeveria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka kërkuar nga qytetarët të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.
Kryeministri, Navaz Sharif, mobilizoi ushtrinë për të ndihmuar në ngritjen e qendrave të mbrojtjes nga i nxehti. Termometri shënoi në këtë rajon 45 gradë celsius.
Një pjesë e mirë e viktimave janë të moshuar që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Banorët e zonës janë të zemëruar me autoritetet për shkak se kufizimet e energjisë elektrike u kanë reduktuar mundësinë e përdorimit të kondicionerëve dhe ventilatorëve.
Situata vështirësohet edhe më shumë në këtë kohë, për shkak të mospërdorimit të ujit të pijshëm gjatë orëve të ditës, për shkak të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Raporte në media tregojnë se me mijëra vetë janë duke marrë trajtim mjekësor, e disa prej pacientëve janë në gjendje të rëndë.
I nxehti përvëlues nuk është diçka e pazakontë për Pakistanin gjatë muajve të verës, por shkurtimet e zgjatura të energjisë elektrike e kanë përkeqësuar ndjeshëm gjendjen këtë vit. Muajin e kaluar, në Indinë fqinje, mbi 2,000 njerëz kanë vdekur nga vapa. (Leunora Kaliqi, TVM2)
