Maqedoni
Strategjia për sigurinë në trafik, synohet përgjysmimi i viktimave në rrugë
04.11.2026 14:33
Rreth 150 persona në vit humbin jetën në rrugët e Maqedonisë....

Rreth 150 persona në vit humbin jetën në rrugët e Maqedonisë. Ky është bilanci mesatar i 35 viteve të fundit, që sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pavarësisht uljes së numrit të viktimave në vitet e fundit, mbetet shqetësues dhe kërkon angazhim më të madh institucional. Ai thotë se ndërgjegjësimi i qytetarëve ka ndikuar në përmirësimin e sigurisë.
“Shteti duhet të ndërmarrë çdo masë të mundshme për të vepruar në mënyrë sa më parandaluese dhe për të përmirësuar sigurinë në komunikacion. Kjo strategji mbështetet pikërisht në këto parime dhe jam vërtet i bindur se do të japë rezultatet e synuara në kuadër të saj.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Strategjia Kombëtare për Sigurinë në Komunikacion 2026-2030 parasheh përgjysmimin e numrit të viktimave deri në fund të dekadës, krahasuar me vitin 2024. Masat përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës, edukimin në komunikacion dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe parandalimit.
“Secili prej nesh mund të gjendet në një situatë të tillë, duke qenë pjesëmarrës në trafik dhe duke përjetuar personalisht pasoja të padëshiruara. Pikërisht për këtë arsye, kjo strategji kombëtare është më se e nevojshme dhe synon atë që është thelbësore: mbrojtjen e jetës së njerëzve në Maqedoni, uljen e numrit të aksidenteve në trafik.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Objektivi afatgjatë është zero viktima në rrugë deri në vitin 2050. Por, mesatarja prej 150 jetëve të humbura në vit tregon se sfida mbetet e madhe. Për qytetarët, suksesi i strategjisë nuk do të matet me objektivat e shkruara në letër, por me numrin e jetëve që institucionet arrijnë të shpëtojnë.
SARA KAJOLLI
