Barcelona dhe Bayerni fitues në derbit e mbrëmjes
04.11.2026 15:01
Bayerni triumfoi me rezultatin 2:0 në një transfertë mjaft të vështirë ndaj Atletico Madridit....

Bayerni triumfoi me rezultatin 2:0 në një transfertë mjaft të vështirë ndaj Atletico Madridit, në stadiumin “Wanda Metropolitano”. Skuadra bavareze kaloi në epërsi në minutën e 54-t me golin e Lennart Karl, i cili u gjend më së miri në zonën e vendasve. Rezultatin përfundimtar 2:0 e vulosi Konrad Laimer në minutën e 74-t.
Barcelona me rezultatin 3:0 mposhti Aston Villën, duke i dhënë fund serisë perfekte të skuadrës angleze në Ligën e Kampionëve. Katalanasit kaluan në epërsi që në minutën e shtatë. Lamine Yamal ndërpreu një pasim të Joao Gomes dhe realizoi për epërsinë e vendasve. Raphinha e dyfishoi epërsinë e Barcelonës në minutën e 52-të. Braziliani shënoi sërish në minutën e 65-të, pas një asistimi fantastik të Joao Cancelos.
Interi triumfoi me rezultatin 3:0 në transfertën ndaj Feyenoordit në Roterdam. Skuadra italiane kaloi në epërsi në minutën e tetë me një gol të bukur të Yann Bisseck, i cili realizoi nga skaji i zonës së rreptësisë. Në minutën e 34-t Interi e dyfishoi epërsinë. Djed Spence goditi nga distanca, topi devijoi dhe përfundoi te Pio Esposito, i cili me kokë shënoi për 2:0. Fitoren e Interit e vulosi Piotr Zielinski në minutën e 54-t, me një goditje nga jashtë zonës. Futbollisti shqiptar Petar Suçiq u aktivizua nga minuta e 78-të.
Manchester Unitedi, pas një ndeshjeje spektakolare dhe një përmbysjeje të madhe, mposhti Romën me rezultatin 3:2. Skuadra mysafire në “Old Trafford” krijoi epërsi prej dy golash pas vetëm 17 minutave lojë, por Unitedi arriti ta përmbyste rezultatin në pjesën e dytë. Roma, në xhiron e dytë, kishte epërsi 3:1 ndaj Real Madridit deri në minutën e 80-të, por më pas pësoi tri gola dhe humbi gjithçka. Edhe kësaj radhe, italianët kishin epërsi 2:0 deri në minutën e 58-të dhe 2:1 në hyrje të dhjetë minutave të fundit, por në fund pësuan dy gola dhe humbën një tjetër ndeshje që dukej e fituar.
LASK nuk pati vështirësi ndaj Slovan Bratislavës, duke fituar me rezultatin 4:0. Bodø/Glimt dhe Lille u ndanë në barazim pa gola. Në dy ndeshjet e para të kësaj xhiroje, fitore kishin regjistruar Galatasaray dhe Sportingu. Skuadra turke mposhti Stuttgartin 2:0 para tifozëve të saj, ndërsa Sportingu triumfoi 1:0 në Londër ndaj Shakhtarit. Nëntë ndeshjet e mbetura të xhiros së katërt do të zhvillohen të mërkurën. Në program janë përballjet: AEK – Real Madrid,Fenerbahçe – Liverpool, Borussia Dortmund – Real Betis,Porto – Napoli, PSV Eindhoven – Club Brugge, RB Leipzig – Manchester City,Lens – Como, Slavia Pragë – Arsenal dhe Viking – Sabah. Në tabelën e klasifikimit, pas katër xhirove jo të plota, kryeson PSG me 12 pikë. Barcelona, Aston Villa, Real Madridi, Liverpooli, Sportingu dhe Betisi kanë nga nëntë pikë.
