Kosova njihet nga Niue, shtet që nuk është anëtar i OKB'së
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar për njohjen e radhës që i vjen shtetit të Kosovës...

Kosova është njohur mbrëmë nga Niue, shtet ky që gjendet në Oqeanin Paqësor e që nuk është pjesë e OKB’së.
“Mbrëmë morra notën verbale nga Toke Talagi, kryeministri dhe ministri i jashtëm i shtetit Niue që gjendet në Oqeanin Paqësor, për njohjen e Kosovës dhe themelimin e marrëdhënieve diplomatike në mes dy shteteve tona. Vota sovrane e Niue në agjencionet si UNESCO, OBT, OBSH, etj. paraqet edhe një ndihmesë në mbledhjen e shumicës së duhur për anëtarësinë e Kosovës në agjencione të OKB”, ka shkruar në Facebook, Thaçi.
Niue është shtet vetëqeverisës në lidhje vullnetare me Zelandën e Re e cila udhëheq marrëdhëniet diplomatike të këtij vendi. Niueanët janë shtetas të Zelandës së Re ndërkohë që vendi udhëhiqet nga Mbretëresha Elizabeth në kapacitetin e saj si Mbretëreshë e Zelandës së Re. Kryeqyteti i Niuea është Alofi.
