Maqedoni
Pakoja e zgjerimit te BE-së, 2026, Kos: Ndryshimet kushtetuese mbeten kyçe për RMV-në
04.11.2026 15:15
Për Maqedoninë e Veriut çështje kyçe mbeten ndryshimet kushtetuese, hap të cilin Kos thotë se vendi duhet ta përmbushë si zotim nga viti 2022...

Në pakon e zgjerimit 2026 të prezantuar nga eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, përpara anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme të PE-së, për Maqedoninë e Veriut çështje kyçe mbeten ndryshimet kushtetuese, hap të cilin Kos thotë se vendi duhet ta përmbushë si zotim nga viti 2022. Sipas saj, procesi integrues tani është në duart e Maqedonisë së Veriut, duke siguruar se Komisioni Evropian është i gatshëm të hapë klasterin e parë në momentin që RMV-ja plotëson kushtet.
“Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë zotimin e saj për të përfunduar ndryshimet kushtetuese, siç përcaktohet në konkluzat e Këshillit të korrikut të vitit 2022. Komisioni do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Objektivi ynë mbetet hapja e klasterit të parë sapo të plotësohen kushtet. Tani gjithçka varet nga Maqedonia e Veriut.”, - deklaroi eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
Raporti i progresit për RMV-në: Asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit
Raportuesi për RMV-në në PE, Tomas Vaic, me thirrje ndaj dy qeverive, të Shkupit dhe Sofjes, që të ulen e të bisedojnë, dhe, të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e ngërçit dypalësh.
“Mënyra e vetme për të dalë nga kjo situatë e bllokuar është që të bisedohet mes veti, pra Qeveria bullgare dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut të ulen dhe të bisedojnë. Siç e dimë, motivimi nuk është gjithmonë në nivelin e lartë. Ju bëj thirrje juve komisionere, që të investoni në këtë përpjekje diplomatike.”, - theksoi raportuesi për RMV-në në PE, Tomas Vaic.
Reformat në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve demokratike mbeten kushtet tjera ku duhet të shënohet progres. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të forcuar sundimin e ligjit.
“Maqedonia e Veriut ndodhet në një nivel përgatitjeje ndërmjet atij të pjesshëm dhe atij të moderuar dhe nuk ka shënuar përparim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Korrupsioni mbetet i përhapur dhe përbën një çështje serioze shqetësimi. Ndryshimet e janarit 2026 në Kodin Penal, që kanë të bëjnë me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe bashkimit kriminal, nuk i adresojnë në mënyrë të duhur pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023 dhe kanë kontribuar në pasigurinë juridike. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit duhet të intensifikojë identifikimin proaktiv të rasteve të mundshme të keqpërdorimeve.”, thuhet në raportin e progresit për RMV-në.
Jurisprudenca në shqip, KE vëzhgon kërkesën e studentëve
Në raportin e progresit është përmendur edhe kërkesa studentore për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në shqip.
“Një peticion dhe protestat e një grupi studentësh të drejtësisë, të cilët kërkuan të drejtën për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, nxitën debat publik, duke hapur diskutime më të gjera dhe të përsëritura mbi zbatimin praktik të të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimin e drejtë të komuniteteve joshumicë në institucionet shtetërore.”.
Në kuadër të pakos së zgjerimit u publikuan edhe udhërrëfyesit për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, që përcaktojnë hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit në Union, përmes vazhdimit të reformave dhe përfshirjes graduale të vendeve në politikat evropiane.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
