Maqedoni

Fruthi në RMV, Klekovski: Apeloj vaksinim, jo masa shtrënguese

04.11.2026 15:22

Fruthi në vend është konfirmuar te tre foshnja dhe një burrë 45-vjeçar, si dhe te një shtetas i Kosovës....

Fruthi në vend është konfirmuar te tre foshnja dhe një burrë 45-vjeçar, si dhe te një shtetas i Kosovës. Ditën e djeshme u regjistrua rasti i pestë me fruth, një foshnjë një vjeç e gjysmë. Sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, theksoi se nuk do të ndërmarrë aksione me masa të detyrueshme për vaksinimin e fëmijëve me vaksinën MRP, pasi në të kaluarën është dëshmuar se masat e detyrueshme, në një masë të caktuar, janë kundërproduktive.
 
“Rekomandimi i parë për qytetarët është që të mos shkojnë te mjeku, por ta kontaktojnë atë përmes telefonit, sepse qëndrimi në dhomën e pritjes përbën rrezikun më të madh për përhapjen e fruthit. Për momentin nuk ka pacientë të hospitalizuar, megjithatë, janë dhënë udhëzime për një spital klinik lidhur me hospitalizimin e foshnjave, pasi grupi më i prekur janë foshnjat deri në moshën 12 muajshe.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. 
 
I pyetur nëse ndalimi i pranimit në çerdhe të fëmijëve të pavaksinuar përbën masë të detyrueshme, ministri Klekovski tha se kjo dispozitë ligjore është anashkaluar në praktikë.
 
“Fëmijët e mi i kam vaksinuar, ndërsa edhe unë jam vaksinuar kundër gripit sezonal, për të demonstruar se nuk ka mbrojtje më të mirë sesa vaksinimi. Edhe njëherë u bëj thirrje prindërve se, duke mos i vaksinuar fëmijët, para së gjithash rrezikojnë fëmijët e tyre dhe më pas edhe ata fëmijë që nuk mund të vaksinohen deri në moshën 12 muajshe.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. 
 
Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë rekomandime për mjekët amë se si duhet të veprojnë në situatën aktuale, tani që në territorin e Maqedonisë janë regjistruar raste me fruth. Gjithashtu, është përcaktuar se në cilin institucion shëndetësor do të hospitalizohen fëmijët e prekur nga fruthi, të cilët do të kenë nevojë për trajtim spitalor.
 
BELINDA KOKA ADEMI