Rajon
Raporti i KE-së për Kosovën: Drejtësia dhe korrupsioni, problematike
04.11.2026 15:28
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën për vitin 2026...

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën për vitin 2026, duke evidentuar mangësi serioze në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve. Sipas raportit, Kosova nuk ka shënuar përparim në gjyqësor, ndërsa ndikimet politike dhe ekonomike vazhdojnë të cenojnë pavarësinë e tij.
“Kosova në përgjithësi nuk ka shënuar përparim në funksionimin e gjyqësorit. Ndikimi i papërshtatshëm nga elementë të brendshëm dhe të ndryshëm të jashtëm, siç janë interesat politike dhe ekonomike, jo vetëm që mbetet pengesë e rëndësishme për pavarësinë dhe paanshmërinë, por në disa aspekte është intensifikuar.”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.
Brukseli shpreh shqetësim edhe për rënien e numrit të dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, duke theksuar se vendi ende nuk ka një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit. Në aspektin politik, Komisioni vlerëson se kriza institucionale, zgjedhjet e përsëritura dhe bllokadat politike kanë penguar zbatimin e reformave. Sa i përket ekonomisë, Kosova ka shënuar përparim të kufizuar, por papunësia, sidomos te gratë, dhe performanca e dobët e ndërmarrjeve publike mbeten sfida. Komisioni Evropian kërkon reforma konkrete në drejtësi, administratë dhe ekonomi, duke theksuar se integrimi evropian duhet të mbështetet në rezultate të matshme dhe jo vetëm në deklarata politike.
ERSAN PAJAZITI
