Maqedoni
Kriza me Bankën ALTA, Banka Popullore me masa të reja për tërheqjen e parave
04.11.2026 15:36
Pasiguria e qytetarëve që kanë shfrytëzuar Bankën ALTA në Maqedoninë e Veriut po vazhdon...

Pasiguria e qytetarëve që kanë shfrytëzuar Bankën ALTA në Maqedoninë e Veriut po vazhdon, ndërkohë që Banka Popullore ka ndërmarrë masa të reja për lehtësimin e shërbimeve. Nëpërmjet një njoftimi, Banka Popullore njoftoi se nga e enjtja, qytetarët që kanë llogari pagese në Banka ALTA në Manastir, por nuk posedojnë kartela pagese, do të mund t’i tërheqin paratë drejtpërdrejt në sportele. Për këtë qëllim, në degën e bankës do të hapen disa sportele të posaçme për tërheqjen e mjeteve.
“Pagesat do të jenë të qasshme për qytetarët, veçanërisht pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës sociale, të cilët marrin të ardhurat përmes llogarive bankare, por nuk kanë kartela pagese. Qytetarët mund të tërheqin 20.000 denarë, në përputhje me kufirin e lejuar për një periudhë dyjavore.”, - thanë nga Banka Popullore.
Ndërkohë, bëhet e ditur se sportelet e posaçme do të shërbejnë ekskluzivisht për tërheqjen e parave, ndërsa nuk do të kryhen shërbime apo transaksione të tjera bankare. Banka Popullore njofton gjithashtu se sportele të ngjashme do të ketë edhe në qytete të tjera të vendit.
“Po bëhen përgatitje për të hapur sportele shërbimi për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale edhe në qytete të tjera anembanë vendit; Banka Popullore do të japë më shumë informacion lidhur me këtë së shpejti.”, thanë nga Banka Popullore.
Në të njëjtën kohë, pronari i Bankës ALTA në Serbi, Davor Macura, po procedohet penalisht. Ndaj tij është caktuar paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa dyshohet për përvetësimin ilegal të 45 miliardë dinarëve serbë.
BENJAMIN ARIFI
