Teknologjia në shërbim të bizneseve, “RALF AI”, asistenti i ri digjital për kompanitë
04.11.2026 17:45
Përgatitja e raporteve financiare, deklaratave tatimore...

Përgatitja e raporteve financiare, deklaratave tatimore, analizimi i kontratave, madje edhe shërbimet e kontabilitetit, tashmë mund të kryhen me ndihmën e inteligjencës artificiale. Për herë të parë, kompanive në vend u ofrohet një asistent i ri digjital i cili synon t'ua lehtësojë punën dhe të rrisë efikasitetin e tyre. Bëhet fjalë për platformën “RALF AI”, e prezantuar në Odën Ekonomike. Sipas krijuesve të saj, ky konsulent digjital ofron përgjigje të shpejta dhe zgjidhje praktike për nevojat e ndryshme të bizneseve, duke kursyer kohë dhe burime.
“Ky prodhim do t’jua përgjysmojë kohën e punës, por megjithatë, ju do të duhet ta mbikëqyrni. Nuk do t’ju zëvendësojë, por do t’ju ndihmojë dhe do ta përshpejtojë ndjeshëm procesin e punës. Do të mundësojë analizim dhe lexim të jashtëzakonshëm të ligjeve, si dhe shumë përfitime të tjera. Të dhënat personale mbeten konfidenciale dhe askush nuk mund t’i përdorë, përveç rastit kur sistemi sulmohet dhe hakohet.”, - theksoi pronari i “RALF AI”, Goran Rafajlovski.
Platforma do të jetë në dispozicion 24 orë në ditë, edhe atë në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Qëllimi nuk është zëvendësimi i proceseve ekzistuese të punës, por përshpejtimi dhe lehtësimi i tyre. Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, tha se biznesi në vend po zhvillohet me ritme të shpejta dhe se institucionet duhet t'i ndjekin këto ndryshime, duke ofruar zgjidhje moderne dhe efikase për kompanitë.
“Ne punojmë në të gjitha frontet. Sot jemi te inteligjenca artificiale. Edhe ne kemi çfarë të themi dhe synojmë të përdorim zgjidhjet më të mira. Kur më pyesin se si e shoh Odën pas dhjetë vitesh, them se këto hapësira nuk do të ekzistojnë më, gjithçka do të jetë e automatizuar dhe punonjësit do të shkojnë te kompanitë e jo kompanitë tek ata. Arma jonë quhet këmbëngulje.”, - u shpreh kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski.
Platforma mund të përdoret nga kontabilistët, juristët, avokatët dhe punonjësit administrativë, por edhe nga profesionistë të fushave të tjera që merren me dokumentacion dhe analiza. “RALF AI” është i specializuar për konsulenca në fushën e së drejtës, financave, kontabilitetit, bankave, sigurimeve dhe administratës. Ai mundëson marrjen e përgjigjeve për çështje profesionale dhe afariste, analizimin e bilanceve financiare, llogaritjen e detyrimeve tatimore, si dhe hartimin e opinioneve profesionale.
REXHEP QAMILI
