Mediat serbe: Vuçiq ia tha troç Mustafës, se nuk ua falim pasuritë tona

24.06.2015 10:43

Lëshimet që Serbia po detyrohet t’i bëjë në raport me Kosovën, pas gjithë kësaj kohe të mohimit të shtetit të Kosovës, kanë bërë që mediat e afërta me Qeverinë e Serbisë, të nxjerrin tituj bombastik kinse të heroizmit të kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq në dialogun e vështirë përballë delegacionit kosovar të kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa...

Ato sot si tituj kryesor kanë kinse qëndrimin e prerë të Vuçiqit se Serbia nuk do të heq dorë plotësisht nga liqeni i Gazivodës. “Vuçiq para syve të Evropës i këput shpresat shqiptarëve: Mustafa, nuk ka asnjë shans të pranoj kërkesat tuaja. Nuk e japim Gazivodën”, është titulli i portalit serb Telegraf, transmeton lajmi.net.

Edhe pse dje në Bruksel në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, u arrit një marrëveshje, ajo e pranimit të policave të sigurimit, dhe palët u dakorduan që më 29 qershor të vazhdojnë me temat tjera, kryeministri serb Vuçiq, pas cdo raundi të dialogut, duket se më shumë ka dëshirë të flas për liqenin e Gazivodës, se sa për temat që palët kanë diskutuar në takim, e as për ato për të cilat kanë arritur marrëveshje.

Mediat serbe shkruajnë se në takimin e djeshëm ka mbizotëruar një atmosferë e tensionuar dhe një mospajtim i madh për temat që janë diskutuar, dhe sipas tyre kryeministri serb Vuçiq dhe ministri i Jashtëm Daçiq as që duan të dëgjojnë kur bëhet fjalë për pretendimin e Prishtinës se liqeni i Gazivodës i cili gjendet në veri, t’i takojë komplet Kosovës.

Por, pavarësisht këtyre fjalëve të mëdha, Serbia ka vazhduar të lëshojë pe nga qëndrimet e saj deklarative se nuk heq dorë nga Kosova.

Pas marrëveshjes së 19 prillit 2013, të nënshkruar nga dy kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, Serbia ka bërë shumë lëshime, të cilat Kosovën e paraqesin si shtet edhe në raportet me shtetin e udhëhequr nga ish radikalët e Sheshelit, Tomislav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq.

Serbia më nuk refuzon pjesëmarrjen në takimet e rajonit ku përfaqësohet edhe, as në ato të nivelit të përfaqësimit të lartë shtetëror, siç janë në nivel presidentësh e kryeministrash.

Gjithashtu, Serbia ka pranuar që qytetarët e Kosovës të hyjnë me letërnjoftim në Serbi, e po ashtu edhe komunat veriore me shumicë serbe, kanë pranuar të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe nacionale të organizuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Ndërsa tani presioni ndërkombëtarë i kryesuar nga Gjermania, po i kërkon Serbisë, që të mos pengoj Kosovën në anëtarësimin në OKB, dhe të gjithë këtë me kushtin e madh, nëse ajo dëshiron që t’i hapet rruga për integrim në BE, përndryshe do të vazhdojë të jetë e bllokuar. (lajmi.net)