Basketboll
NBA: Donçiq vazhdon me paraqitje fantastike, natë historike për Victor Wembanyaman
05.11.2026 12:21
Victor Wembanyama zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme, duke i udhëhequr San Antonio Spurs...

Victor Wembanyama zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme, duke i udhëhequr San Antonio Spurs drejt një fitoreje dramatike ndaj Dallasit me rezultat 112:111. Qendra franceze regjistroi rekord personal në karrierë me 52 pikë dhe 24 kërcime, si dhe tetë bllokada, në njërën prej paraqitjeve individuale më dominuese të këtij sezoni.
Wembanyama që në pjesën e parë tregoi se kjo do të ishte një natë e veçantë për të. Dallas pati mundësinë t'ua prishte festën vendasve, por Kyrie Irving e humbi një gjuajtje të vështirë nga gjysma e fushës, vetëm tri sekonda para përfundimit të ndeshjes.
Kontribut të madh në fitoren e gjashtë radhazi të Spursave dhanë edhe Dylan Harper me 21 pikë, si dhe Stephon Castle, i cili regjistroi 17 pikë dhe 10 kërcime. Te Dallas Mavericks, Naji Marshall shënoi 22 pikë, P.J. Washington shtoi 21, ndërsa Cooper Flagg realizoi 19 pikë. Kyrie Irving e përfundoi ndeshjen me 29 pikë.
Luka Donçiq vazhdoi me paraqitjet e shkëlqyera në fillim të sezonit të ri të NBA-së. Basketbollisti slloven i priu Los Angeles Lakers drejt fitores si mysafir ndaj Sacramento Kings me rezultat 116:103, duke e përfunduar ndeshjen me 40 pikë. Me këtë fitore, Lakersat regjistruan triumfin e tretë radhazi.
Donçiq në tetë paraqitjet e para të këtij sezoni ka realizuar gjithsej 308 pikë, duke u bërë basketbollisti i parë pas Michael Jordanit, në sezonin 1988/89, që arrin të kalojë shifrën e 300 pikëve në tetë ndeshjet e para të sezonit.
Në ndeshjet e tjera, Cleveland Cavaliers u mposhtën në udhëtim nga Oklahoma City Thunder me rezultat 124:116. Indiana triumfoi si mysafire ndaj Memphis Grizzlies me rezultat 107:103, duke i dhënë fund serisë prej pesë humbjeve radhazi. New Orleans Pelicans mposhtën Utah Jazz me rezultat 120:113, pas vazhdimeve, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi.
