Hendboll
Hendboll – Liga rajonale: Hendbollistet e Çairit ende pa fitore në Ligën rajonale
05.11.2026 12:35
Hendbollistet e Çairit nuk arritën të regjistrojnë fitore as në ndeshjen e tretë të Ligës së re rajonale...
Në përballjen me skuadrën malazeze Starslavici, ato u desh të pajtohen me barazimin 27:27.
Vajzat e Çairit e nisën shumë mirë takimin dhe në minutën e 25-të të pjesës së parë kishin epërsi prej pesë golash, 14:9. Megjithatë, në pushim ndërmjet dy pjesëve shkuan me tri gola epërsi, 15:12.
Në pjesën e dytë, hendbollistet malazeze, të cilat luanin në terrenin vendas, arritën të rikthehen në lojë dhe të barazojnë rezultatin. Me një gol të shënuar në sekondat e fundit të takimit, ato siguruan barazimin 27:27.
Vlen të theksohet se nga minuta e 25-të e 23 sekonda të pjesës së dytë nuk u shënua asnjë gol, deri në realizimin e golit të barazimit vetëm dy sekonda para përfundimit të ndeshjes. Kështu, hendbollistet e Çairit edhe pas tri ndeshjeve të zhvilluara vazhdojnë të jenë pa fitore.
Ato kanë regjistruar një barazim dhe dy humbje në Grupin B. Edhe kundërshtarja e tyre, Starslavici, ende nuk ka shijuar fitoren. Skuadra malazeze ka një barazim, pikërisht ndaj Çairit, dhe tri humbje.
Hendbollistet e Çairit kanë golaverazh prej minus tetë golash, ndërsa skuadra malazeze nga Cetinja ka golaverazh minus 41. Ndërkohë, Gjorçe Petrovi ka pesë pikë nga katër ndeshje dhe mban pozitën e tretë në grup.
