Zgjedhjet vendore në Shqipëri, Shkodra dhe Malësia e Madhe ende pa rezultat
Ndonëse fituesit dihen tashmë, procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 21 qershorit ende nuk ka përfunduar në të gjitha rrethet...

Kanë mbetur edhe 2 bashki që kanë kutitë e fundit pa u mbyllur, konkretisht Shkodër dhe Malësi e Madhe.
Madje tek kjo e fundit numërimi është shoqëruar me incidente, pasi ka pasur një konflikt mes militantëve, duke qenë se rezultati i votave është shumë i ngushtë. Procesi i numërimit të votave në Malësinë e Madhe, është ndërprerë për shkak të përleshjeve mes militantëve të partive politike. Bëhet e ditur se përleshja fizike mes militantëve ka nisur në momentin kur numëruesit kanë dalë jashtë për 30 minuta pushim.
Rreth 20 forca policie janë munduar të qetësojnë situatën, ndërsa menjëherë kanë mbërritur edhe forcat speciale, si edhe drejtues të policisë së Shkodrës. Partia Demokratike akuzon militantët e PS-së se kanë goditur me grushta kryetarin lokal të demokratëve.
Pavarësisht shtimit të forcave të policisë situata mbeti e tensionuar dhe KZAZ numër 1 e kësaj bashkie mori vendimin që kutitë e mbetura të numërohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë bashki janë numëruar 52 nga 79 kuti dhe kandidati i aleancës së majtë, Tonin Marinaj, ka marrë 7104 vota, ndërsa rivali i tij, kandidati i APPD, Anton Kokaj ka marrë 6014 vota. Ndërkohë edhe në Shkodër kanë mbetur edhe 3 kutitë e fundit dhe kandidatja e APPD, Voltana Ademi kryeson me rreth 11 mijë vota ndaj Keti Bazhdarit të ASHE.
Kështu në total ka përfunduar procesi i numërimit të votave në 59 bashki në të gjithë vendin. Në 44 prej tyre kanë fituar kandidatët e majtë, ndërsa në 14 fitues janë kandidatët e së djathtës. Vetëm në njërën prej tyre, fitues ka dalë kandidati i partisë së minoritetit grek "Mega". Ndërsa në Tiranë dhe në bashkitë e tjera po vijohet me numërimin e votave për këshillat bashkiakë.
