Maqedoni

LERMS, platformë e përbashkët për shkëmbimin e të dhënave

05.11.2026 14:42

Gjashtë institucione shtetërore, respektivisht Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme...

Gjashtë institucione shtetërore, respektivisht Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Policisë Financiare, Drejtoria e Inteligjencës Financiare dhe Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar, nënshkruan memorandum bashkëpunimi në kuadër të projektit për krijimin e sistemit për evidentimin, të dhënat dhe menaxhimin e lëndëve të organeve të ndjekjes, të njohur si LERMS.
 
Përmes këtij sistemi synohet krijimi i një platforme të përbashkët, të automatizuar dhe të qëndrueshme, e cila do t'i ndërlidhë këto gjashtë institucione dhe do të mundësojë shkëmbimin e sigurt të të dhënave, raportimin e automatizuar statistikor dhe analitik, si dhe përcjelljen e lëndëve gjatë gjithë procesit penal.
 
“Sot është dita e fillimit. Sot nisim aktivitetet për vënien në funksion të këtij sistemi, natyrisht në bashkëpunim me të gjitha institucionet që janë pjesë e këtij rrjeti. Të dhënat që do të jenë shpejt të qasshme nga të gjitha institucionet e përfshira në këtë rrjet janë gjithmonë të rëndësishme për procedurën penale. Por, jo vetëm kaq. Edhe shpejtësia me të cilën do t'i marrim këto të dhëna sigurisht që do të kontribuojë në zhvillimin e një procedure më efikase, përkatësisht në grumbullimin më të shpejtë dhe më efikase të të dhënave dhe provave që do të jenë të rëndësishme për rrjedhën e mëtejshme të procedurës.”, - deklaroi kryeprokurori, Nenad Saveski.
 
“Është mirë që po bëhemi pjesë e një rrjeti të përbashkët  me institucionet e tjera dhe po shkëmbejmë informacione dhe të dhëna për të cilat kemi nevojë. Në këtë mënyrë, shkurtojmë kohën dhe përmirësojmë efikasitetin dhe ekonomicitetin e procedurave tona. Si institucione, duhet të përgatitemi për një kohë të re, për një epokë të re të digjitalizimit, ku dokumentacionin në letër do ta reduktojmë në minimum.’, - theksoi drejtori i ri i Policisë Financiare, Sllobodan Ivanovski.
 
Kriminaliteti nuk njeh kufij, ndërsa strukturat kriminale veprojnë shpejt dhe shfrytëzojnë teknologjitë më të avancuara. Prandaj, përgjigjja institucionale nuk duhet të jetë e ngadaltë dhe e izoluar.
 
Sistemi LERMS do të mundësojë përcjelljen e procedurave që nga veprimet parahetimore dhe kallëzimet penale, përmes procedurave prokuroriale dhe gjyqësore, deri te hetimet financiare dhe procedurat për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë. Në këtë mënyrë synohet të forcohen koordinimi dhe llogaridhënia e institucioneve.
 
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, tha se përmes shkëmbimit më të shpejtë të informacioneve dhe koordinimit më të gjerë institucional, synohet një luftë më efikase kundër krimit dhe korrupsionit.
 
“Për MPB-në, e veçanërisht për Byronë e Sigurisë Publike, një sistem i tillë ka rëndësi të veçantë, pasi cilësia, qasshmëria dhe përdorimi në kohë i informacioneve janë thelbësore për veprimin e suksesshëm policor dhe luftimin e grupeve kriminale. Presim që zbatimi i këtij sistemi të kontribuojë në trajtimin më të mirë dhe më efikas të rasteve kriminale, avancimin e kapaciteteve analitike, si dhe përmirësimin e komunikimit dhe koordinimit me agjencitë e tjera kompetente brenda vendit.”, - theksoi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
 
Nga Delegacioni i BE-së theksuan se forcimi i institucioneve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë thelbësorë për përparimin në sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
 
“Institucione më të forta, bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet institucioneve dhe përparim konkret në fushën e sundimit të ligjit. Në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera kandidate, sundimi i ligjit është një prioritet themelor.Përparimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk vlerësohet vetëm përmes legjislacionit dhe strategjive, por mbi të gjitha përmes zbatimit të tyre dhe rezultateve të qëndrueshme.”, - u shpreh përfaqësuesja e BE-së në Shkup, Roberta Corteze.
 
Sistemi LERMS është i mbështetur  nga Bashkimi Evropian, në kuadër të projektit të financuar përmes fondeve IPA, që synon krijimin e një sistemi të përbashkët për evidentimin, regjistrimin dhe menaxhimin e lëndëve të institucioneve të zbatimit të ligjit.
 
REXHEP QAMILI