Maqedoni

KE-ja vlerëson stabilitetin e sektorit bankar

05.11.2026 15:32

Sektori bankar në Maqedoninë e Veriut është rezistent dhe mirë i kapitalizuar...

Sektori bankar në Maqedoninë e Veriut është rezistent dhe mirë i kapitalizuar, vlerëson Komisioni Evropian në Raportin për vitin 2026.
 
Megjithatë, krahas treguesve pozitivë, raporti paralajmëron për rreziqet që vijnë nga rritja e shpejtë e kredive hipotekare dhe kredive për ndërtim, si dhe nga shtrenjtimi i patundshmërive. Këto zhvillime kërkojnë mbikëqyrje të shtuar për të ruajtur stabilitetin financiar.
 
“Rritja e ndjeshme e kredive hipotekare dhe kredive për ndërtim ka kontribuar në rritjen e shpejtë të çmimeve të patundshmërive. Kjo, së bashku me ekspozimin e lartë të disa bankave ndaj tregut të patundshmërive, mbetet sfidë dhe kërkon vigjilencë të shtuar nga autoritetet mbikëqyrëse.”, thuhet në raportin e KE-së.
 
Nga ana e saj, Banka Popullore thekson se vlerësimet e Komisionit Evropian konfirmojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe përparimin në forcimin e stabilitetit financiar, duke riafirmuar përkushtimin për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe financiar, si dhe harmonizimin me rregullativën evropiane.
 
“Vlerësimet e Komisionit Evropian konfirmojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar vendas dhe përparimin e vazhdueshëm në forcimin e stabilitetit financiar. Banka Popullore edhe në të ardhmen do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar, si dhe në harmonizimin me rregullativën evropiane.”, thanë nga Banka Popullore.
 
Raporti, megjithatë, kërkon edhe forcimin e pavarësisë financiare të Bankës Popullore dhe vazhdimin e harmonizimit me legjislacionin evropian. Hyrja në fuqi e Ligjit për zgjidhjen e bankave dhe përparimi drejt integrimit në SEPA paraqesin hapa në këtë drejtim. Sfida mbetet që këto reforma të sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.
 
SARA KAJOLLI