Maqedoni
5 raste me sëmundjen e fruthit, apel që vaksinimi të realizohet sipas kalendarit
05.11.2026 15:49
5 raste të konfirmuara me sëmundjen e fruthit janë regjistruar në vend...

5 raste të konfirmuara me sëmundjen e fruthit janë regjistruar në vend, por fakti që vendet fqinje kanë shpallur epidemi dhe përqindja e ulët e fëmijëve të vaksinuar në vend ka alarmuar autoritetet kompetente, të cilat bëjnë thirrje që vaksinimi të realizohet sipas kalendarit të vaksinimit. Instituti i Shëndetit Publik paralajmëron rrezik të shtuar për raste të reja, megjithëse aktualisht nuk ka përhapje të gjerë të sëmundjes në nivel vendi.
Vaksina MRP mbron nga tri sëmundje infektive – fruthi, rubeola dhe shytat. Sipas kalendarit të imunizimit, fëmijët duhet të marrin dy doza të kësaj vaksine, ndërsa për mbrojtjen kolektive nga fruthi rekomandohet një mbulim vaksinimi prej të paktën 95 për qind.
Raporti i Institutit të Shëndetit Publik për vitin 2025 tregon se mbulueshmëria në nivel kombëtar me dozën e parë të vaksinës MRP është 62,7 për qind, që paraqet rënie krahasuar me 72,7 për qind në vitin 2024. Ndërkohë, dozën e dytë e kanë marrë 84,7 për qind e fëmijëve, krahasuar me 79,1 për qind një vit më parë.
Fruthi është një nga sëmundjet virale më ngjitëse. Ai përhapet përmes ajrit dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël dhe personat me imunitet të dobësuar.
Simptomat e para zakonisht shfaqen 7–14 ditë pas infektimit dhe përfshijnë temperaturë, kollë, rrjedhje hundësh, sy të skuqur dhe njolla të vogla të bardha brenda gojës. Pas disa ditësh shfaqen puçrra të kuqe, fillimisht në fytyrë, të cilat përhapen në trup.
Fruthi mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë pneumoninë, inflamacionin e trurit, dehidratimin, dëmtimin e shikimit dhe, në raste të rënda, vdekjen.
Epidemia e fundit e madhe në vend, gjatë viteve 2018 dhe 2019, rezultoi me më shumë se 2.000 persona të infektuar dhe katër raste të vdekjes.
FITORE NAGAVCI
