Banka ALTA, LSDM: Po ushtrohet presion ndaj blerësve
05.11.2026 16:01
Vazhdojnë përplasjet mes partive politike rreth rastit të Bankës ALTA...

Vazhdojnë përplasjet mes partive politike rreth rastit të Bankës ALTA, në mes të krizës në të cilën është përfshirë banka serbe për shkak të problemeve me ligjin në Serbi. LSDM-ja opozitare akuzon edhe Bankën Popullore për përfshirje në këtë situatë.
Sipas tyre, po ushtrohet presion ndaj blerësve të mundshëm që ta blejnë Bankën ALTA, në këmbim të privilegjeve tjera.
“Kemi informacione nga sinjalizues brenda Bankës Popullore se po ushtrohet presion ndaj blerësve të caktuar të mundshëm, të cilëve Qeveria u ofron privilegje në të ardhmen. Paralajmërojmë të mos bëhet gabimi i njëjtë sikur me blerësin serb gjatë blerjes fillestare të Bankës Ekonomike - Manastir. Pyesim publikisht: a po ushtron Mickoski presion mbi një bankë të huaj?”, - deklaroi Aleksandar Dimitrieviq nga LSDM.
BP-ja hedh poshtë insinuatat rreth Bankës ALTA
LSDM-ja ka akuzuar guvernatorin e Bankës Popullore edhe për caktimin e një nga administratorëve të përkohshëm në Bankën ALTA, i cili, sipas opozitës, ka konflikt interesi. Por, Banka Popullore i hedh poshtë kategorikisht këto akuza.
“Banka Popullore e konsideron tejet të papërgjegjshëm përhapjen e insinuatave të tilla nga subjektet politike, veçanërisht në një kohë kur institucioni po ndërmerr masa konkrete për të mbrojtur interesat e depozituesve dhe klientëve të Bankës ALTA. Përsëritja e qëllimshme e të pavërtetave, të cilat janë hedhur poshtë më parë, si dhe vënia në dyshim e ligjshmërisë së veprimeve të Bankës Kombëtare, nuk i shërbejnë informimit të publikut. Përkundrazi, ato minojnë drejtpërdrejt besimin në sistemin bankar.”, - thanë nga Banka Popullore.
VMRO-DPMNE: Opozita po politizon çështjen
Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja kërkon që rasti i Bankës ALTA të mos përdoret politikisht. Ata kërkuan debat parlamentar për Bankën ALTA sa më shpejt, ndërsa akuzuan kryetaren e komisionit parlamentar për financa dhe buxhet se po e zvarrit këtë çështje, me qëllim që sa më gjatë të jetë objekt i përplasjeve politike.
“VMRO-DPMNE-ja, me nënshkrimet e 1/3 të anëtarëve të Komisionit për Financa dhe Buxhet, tashmë kërkoi që ajo të mblidhet që sot. Por, duket se qëllimi i opozitës është që sa më gjatë të politizohet kjo çështje, për shkak se e kanë caktuar seancën për të mërkurën e ardhshme.”, - theksoi Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë vazhdojnë masat e përkohshme të Bankës Popullore për klientët e Bankës ALTA. Tërheqja e të hollave është kufizuar në 10.000 denarë në javë, ndërsa janë hapur sportele shtesë për t’i shërbyer të gjithë klientët.
BENJAMIN ARIFI
