Ideja për zgjedhje të parakohshme, Mexhiti: Jemi të fokusuar te zgjidhjet, jo te zgjedhjet
05.11.2026 16:01
Qeveria është e fokusuar për zgjidhje dhe jo për zgjedhje, tha bashkëkryetari i VLEN-it...

Qeveria është e fokusuar për zgjidhje dhe jo për zgjedhje, tha bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në pyetjen e gazetarëve nëse është dakorduar datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Me kryeministrin Mickoski kemi takime të rregullta. Ne jemi një Qeveri, por jemi partner në Qeveri. Jo gjithherë mendojmë njëjtë. Ka momente kur mendojmë edhe ndryshe. Ka momente edhe kur përplasemi me mendime dhe qëndrime. Por, Qeveria ka kapacitet demokratik për t’i mbyllur këto brenda Qeverisë dhe për të ecur përpara. Pra, jemi të fokusuar te zgjidhjet, jo te zgjedhjet.”, - deklaroi bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti.
Mexhiti foli edhe për emërimin e zëvendësministrave, për çka tha se së shpejti do të vijnë në përfundim.
“Te eshaloni i dytë po bëhet evoluimi, puna e funksionarëve. Varësisht prej asaj, gjitha subjektet, do të vijmë te përfundimi, pra te zëvendësministrat, drejtorët e kështu me radhë.”, - theksoi bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti.
Ndryshe nga VMRO-DPMNE për zgjedhje të parakohshme kanë deklaruar se, nëse opozita i kërkon, ata janë të gatshëm, por nga LSDM-ja tashmë janë shprehur se nuk do të bëhen alibi që ato të ndodhin. BDI-ja mbetet në qëndrimin se shteti duhet të shkojë në zgjedhje.
ARTAN NUHIU
