Raporti i progresit, VLEN: KE-ja njeh rezultatet e zbatimit të Agjendës Reformuese

05.11.2026 16:01

Publikimi i Raportit të Progresit për RMV-në nga ana e Komisionit Evropian...

Publikimi i Raportit të Progresit për RMV-në nga ana e Komisionit Evropian ka ngjallur reagimet e partive politike në vend. Secili subjekt, varësisht nga pozita që ka, ka interpretuar këtë raport. Për partinë shqiptare në pushtet, VLEN, raporti i KE-së njeh rezultatet e reformave dhe angazhimin evropian të vendit.
 
“Raporti i Komisionit Evropian njeh rezultatet e zbatimit të Agjendës Reformuese, reformimin e gjyqësorit, rritjen ekonomike, digjitalizimin dhe bashkëpunimin rajonal. Këto vlerësime konfirmojnë se puna në institucione po njihet nga Brukseli. Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet me performancën më të mirë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Rëndësi të veçantë ka evidentimi i propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, raporti njeh edhe përparimin në reformën e gjyqësorit. Komisioni Evropian po ashtu vlerëson harmonizimin e plotë të vendit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke e cilësuar Maqedoninë e Veriut si partner të besueshëm.”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
 
BDI: Një nga vlerësimet më shqetësuese
 
Për BDI-në, ky është një nga raportet më negative të Komisionit Evropian, dhe është dëshmuar se politikat e Qeverisë po e kthejnë vendin prapa. 
 
“Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 është një nga vlerësimet më shqetësuese që Maqedonia e Veriut ka marrë në vitet e fundit. Ai dëshmon se vendi po humb ritmin e reformave, po mbetet gjithnjë e më larg integrimit evropian dhe po përballet me probleme serioze në funksionimin e institucioneve. Për herë të parë, problemet konkrete me zbatimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat marrin një vend kaq të qartë në vlerësimin e Komisionit Evropian. Kjo është pasoja më e rëndë politike e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së me VLEN-in.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
 
LSh: Raport për regresin e RMV-së
 
Raporti i Komisionit Evropian për "Regresin e Maqedonisë së Veriut" është konfirmim i vlerësimeve tona gjatë gjithë vitit, thonë nga Lidhja Shqiptare.
 
“Të gjitha sferat për të cilat ne si Lidhje Shqiptare kemi ngritur shqetësime në vazhdimësi, dje ishin të theksuara në raportin e Komisionit Evropian, që zyrtarisht titullohet Raport Progresi, por për Maqedoninë e Veriut në fakt është Raport Regresi. Nga ndryshimet kushtetuese, partizimi dhe etnizimi i gjyqësorit, presioni dhe kërcënimet ndaj mediave dhe gazetarëve, Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, diskriminimi gjuhësor dhe në çdo sferë tjetër, janë dështimet e Qeverisë aktuale dhe institucioneve kompetente.”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.
 
LSDM: Gjithçka që shënohet në raport, një katastrofë
 
Në bllokun maqedonas, LSDM-ja e quajti raportin katastrofik. Sipas Andrej Zhernovskit nga LSDM-ja, katastrofa në të cilën Mickoski dhe ndjekësit e tij kanë zhytur në këto dy vjet e gjysmë pasqyrohet drejtpërdrejt në Raport. 
 
“Gjithçka që shënohet në Raport mund të vlerësohet shkurtimisht drejtpërdrejt si një katastrofë. Ajo që është shqetësuese është se kemi zero përparim në korrupsion dhe në luftën kundër korrupsionit. Kemi bërë zero përparim edhe në lirinë e medias. Gjyqësori është nën rrethim politik dhe pa para. Ne nuk kemi bërë asnjë përparim në shtatë fusha. Parlamenti, për fat të keq, është shndërruar në një institucion që i shërben vetëm Qeverisë. Kjo është arsyeja pse Mickoski dhe pasuesit e tij nuk duan ta shohin Maqedoninë në Bashkimin Evropian.”, - deklaroi Andrej Zhernovski nga LSDM.
 
VMRO: Është arritur përparim i konsiderueshëm
 
Vlerësimit të LSDM-së i janë kundërpërgjigjur nga VMRO-DPMNE-ja.
 
“Sa i përket raportit vjetor të KE-së për Maqedoninë, është e qartë se është arritur përparim i konsiderueshëm në fushat kryesore, se është rritur gatishmëria për anëtarësim në BE dhe janë vërejtur vlerësime pozitive për Agjendën e Reformave. LSD-ja dhe Zhernovski mund t'i shohin gjërat ndryshe sa të duan, por realiteti është se Maqedonia po reformohet dhe po përparon, dhe Bashkimi Evropian e sheh dhe e vlerëson këtë.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së. 
 
E Majta: Vlerësimi, shkatërrues
 
Partia E Majta ka akuzuar të gjitha partitë që kanë qeverisur vendin deri tani për ngecjen në procesin integrues.  
 
“Vlerësimi është veçanërisht shkatërrues për grupet politike të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, të cilat e kanë paraqitur integrimin evropian si angazhimin e tyre kryesor politik për vite me radhë, ndërsa kanë lënë pas shkatërrim dhe rezultate shkatërruese. Partitë që kanë theksuar integrimin evropian si angazhimin e tyre kryesor politik për dekada mbajnë përgjegjësi të thellë për situatën aktuale. Standardet evropiane nuk mund të reduktohen në deklarata diplomatike.”, thuhet në kumtesën e partisë E Majta.  
 
Angazhim për reforma, por asnjë përpjekje për të miratuar ndryshime kushtetuese. Progres i kufizuar në gjyqësor, status quo në luftën kundër korrupsionit. Kjo është pjesë e asaj që Komisioni Evropian vuri në dukje në raportin e progresit për Maqedoninë. 
 
FITIM KRYEZIU