Botë

Zgjedhjet e mesmandatit në ShBA, J.D. Vance: Lufta me Iranin, shkak i humbjes, Trump: Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore

05.11.2026 17:00

Çmimet e naftës kanë rënë nën 100 dollarë për fuçi...

Çmimet e naftës kanë rënë nën 100 dollarë për fuçi, ndërsa bursat amerikane e mbyllën ditën me rritje, pas fitores bindëse të demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në ShBA. Çmimi i një fuçie nafte bruto të llojit “Brent”, e cila shërben si referencë globale për çmimet e naftës, të mërkurën shënoi rënie prej më shumë se 8 për qind, duke zbritur në rreth 95 dollarë.
 
Ky është niveli më i ulët i çmimit në dy muajt e fundit. Lufta me Iranin është arsyeja e humbjes së republikanëve në zgjedhje, ka deklaruar zëvendëspresidenti amerikan James David Vance, i cili shihet edhe si pasardhës i mundshëm i Donald Trump-it në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Vance bëri thirrje për përfundimin e luftës, përqendrimin e vëmendjes te kostoja e jetesës dhe rishqyrtimin e marrëdhënieve të ShBA-së me Izraelin.                                                      
 
“Pa dyshim, ka pasur vende ku mund të kishim një pjesëmarrje më të mirë. Por, problemi kryesor nuk është pjesëmarrja. Problemi kryesor është se shumë njerëz që votuan për Trump-in dhe Vance-n në vitin 2024, në vitin 2026 votuan për demokratët.”, - ka deklaruar zëvendëspresidenti i ShBA-së, James David Vance. 
 
Edhe presidenti Trump, e pranoi se lufta në Iran ka dëmtuar republikanët në zgjedhjet e mesmandatit, por theksoi se nuk do ta ndryshonte vendimin, pasi Irani nuk guxon të ketë armë bërthamore.
 
“Mendoj se kjo është kryesisht e vërtetë, sepse lufta e rriti pak çmimin e benzinës në afat të shkurtër. Por, në të njëjtën kohë, nëse do të më duhej ta bëja përsëri, do ta bëja. Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Trump. 
 
Trump-i deklaroi gjithashtu se republikanët do të kishin fituar nëse emri i tij do të ishte në fletëvotim, duke iu referuar pjesëmarrjes së madhe të njerëzve në tubimet e tij elektorale. 
 
GYLTENE SINANI