Forlmula 1

Antonelli nderon legjendën Senna para garës në Brazil

06.11.2026 12:27

Kampioni i ri i botës në Formula 1, 20-vjeçari italian Kimi Antonelli...

Kampioni i ri i botës në Formula 1, 20-vjeçari italian Kimi Antonelli, vizitoi pronën familjare të pilotit legjend Ayrton Senna para Çmimit të Madh të Brazilit, që zhvillohet këtë fundjavë.
 
Piloti i Mercedesit ndau në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet i ulur në Lotusin 98T, makinën që Senna drejtoi në vitin 1986, duke falënderuar familjen për një ditë të paharrueshme. Në një bisedë me mediat në Interlagos, Antonelli tha se kjo përvojë ishte edhe më emocionuese nga sa kishte pritur.
 
“U emocionova vërtet shumë. Ishte një ditë jashtëzakonisht e veçantë, të cilën do ta kujtoj përgjithmonë. Prandaj do t'i jem gjithmonë mirënjohës familjes Senna që më mundësoi ta përjetoja këtë, madje edhe të ulesha në makinën e tij, gjë që ishte shumë e veçantë”, u shpreh Antonelli.
 
Italiani i ri do të garojë këtë fundjavë me një helmetë të veçantë në nderim të Sennës, 35 vjet pas fitores së tij të parë në shtëpi, në Interlagos, në vitin 1991. “Kjo do të thotë shumë për mua.
 
Helmeta ime speciale për këtë fundjavë. Një homazh për idhullin tim dhe Brazilin. Shpresoj t'ju pëlqejë po aq sa mua.”, shkroi Antonelli në rrjetet sociale, duke prezantuar dizajnin e veçantë të helmetës. Ayrton Senna humbi jetën më 1 maj 1994, në pistën Autodromo Enzo e Dino Ferrari në Imola, gjatë Çmimit të Madh të San Marinos në Formula 1.