Botë
Mustafa: takimi në Bruksel, mjaft i ngjeshur
24.06.2015 12:13
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se rrethi i djeshëm i bisedimeve në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë mjaft i ngjeshur...

Sipas Mustafës, ekziston përkushtim i të gjithëve për zgjidhjen e problemeve dhe ka konfirmuar se bisedimet do të vazhdojnë më 29 qershor, kur, sipas tij, do të bëhen përpjekje për përmbylljen e disa marrëveshjeve.
Ndërsa kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se bisedimet kanë qenë shumë të vështira, por se në ditët e ardhshme "mund të finalizohet" ndonjë marrëveshje.
Përmes një deklarate për media, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se është shënuar përparim në të gjitha çështjet.
"Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë për këto katër çështje në orët e ardhshme dhe ne do të mblidhemi shumë shpejt, në ditët e ardhshme, për të finalizuar marrëveshjet”- ka thënë Mogherini.
Të martën, palët, nën ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, kanë biseduar për energjinë, telekomin, krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në veri të Kosovës dhe lirinë e lëvizjes.
Në margjina të takimit është nënshkruar vetëm memorandumi i mirëkuptimit për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve të automjeteve.
