Shtëpia e Bardhë: Olland nuk ka qenë cak i përgjimeve të SHBA-së

24.06.2015 11:13

Shtëpia e Bardhë mbrëmë kumtoi se presidenti francez, Fransoa Olland nuk ka qenë cak i përgjimeve, pasi faqja Uikiliks publikoi se shërbimet amerikane të sigurisë i kanë spiunuar Zhak Shirakun, Nikolla Sarkozyn dhe presidentin aktual të Francës...

"Ne nuk i kemi cak dhe as që do t'i kemi në të ardhmen komunikimet e presidentit Olland", konfirmoi zëdhënësi i Këshillit amerikan për siguri nacionale, Ned Prajs.

Prajs, megjithatë, nuk theksoi se kush ka qenë cak i përgjimeve në të kaluarën nga shërbimet e sigurisë amerikane.

"Ne nuk publikojmë çfarëdo aktivitete të mbikëqyrjes së jashtme për zbulim, përveç nëse nuk ekziston shkak specifik dhe i kontrolluar i sigurisë nacionale. Përgjimi është i njëjtë si për qytetarët e rëndomtë ashtu edhe për liderët botërorë. Bashkëpunojmë ngushtë me Francën për të gjitha çështjet me rëndësi ndërkombëtare dhe francezët janë partnerë tanë të pandryshueshëm", tha Prajs.

Presidenti francez për sot konvokoi takim urgjent të Këshillit të Sigurisë të Francës me rastin e raportit të Uikiliksit për atë se SHBA-ja ka spiunuar tre presidentë francezë, është paralajmëruar në Paris.

Takimi do të fillojë në orën nëntë sipas kohës lokale të Parisit.

Spiunimi i presidentëve francezë është bërë në periudhën prej vitit 2006 deri në vitin 2012, transmetoi gazeta "Liberasion". Gazeta u referohet dokumenteve të cilat kanë qenë "sekreti më i madh" dhe midis tyre janë pesë raporte të Agjencisë amerikane për siguri nacionale të cilat janë përpunuar në bazë të komunikimeve të përgjuara.