Maqedoni
Kasami: Në vitin e parë 43 projekte infrastrukturore
06.11.2026 16:42
Kasami ka prezantuar të arriturat e pushtetit lokal...

Kasami ka prezantuar të arriturat e pushtetit lokal, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë realizuar dhe avancuar dhjetëra projekte infrastrukturore, si në qytet ashtu edhe në vendbanimet rurale.
Sipas Kasamit, gjatë vitit të parë të mandatit të dytë janë realizuar dhe avancuar gjithsej 43 projekte infrastrukturore. Ndër investimet kryesore përmendi përfundimin e bulevardit “VS Bato”, bulevardit “Bllagoja Toska” në Drenovec, si dhe punimet në qarkoren Lisec–Kodra e Diellit, e cila, sipas tij, është drejt përfundimit.
“Gjatë këtij viti kemi realizuar dhe avancuar gjithsej 43 projekte infrastrukturore, duke dëshmuar përkushtimin tonë për zhvillimin e qytetit dhe të vendbanimeve rurale. Ndër projektet më të rëndësishme veçoj përfundimin e Bulevardit “VS Bato”, përfundimin e Bulevardit “Bllagoja Toska” në Drenovec, si dhe jemi drejt përfundimit të punimeve të Qarkores Lisec-Kodra e Diellit, një projekt me rëndësi të veçantë për përmirësimin e qarkullimit dhe lidhjen infrastrukturore të kësaj zone. Kemi punuar që investimet të mos përqendrohen vetëm në qendër, por të shtrihen në të gjitha lagjet dhe vendbanimet, sepse çdo pjesë e Tetovës meriton zhvillim të barabartë.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Sa i përket gjendjes financiare të komunës, Kasami bëri të ditur se borxhi i përgjithshëm i komunës, së bashku me obligimet ndaj përmbaruesve, arrin në rreth 11 milionë euro, ndërsa vetëm borxhi i drejtpërdrejtë i komunës është 8.5 milionë euro.
Kasami njëherësh bëri të ditur se premtimi për 100 euro për çdo fillorist nuk mund te realizohet për shkak të përmbarimeve që ka komuna, edhe pse, siç tha ai, shuma qe duhet t’u jepet qytetarëve arrin në rreth 6 milionë denarë.
VISAR SADIKI
