Qytetarët presin në radhë para Bankës ALTA
06.11.2026 17:06
Vazhdon radha e gjatë e qytetarëve para sporteleve të Bankës ALTA në Manastir...

Vazhdon radha e gjatë e qytetarëve para sporteleve të Bankës ALTA në Manastir, në mes të krizës që ka kapluar bankën. Disa nga qytetarët e anketuar thonë se janë njoftuar me SMS porosi, por jo të gjithë që presin në radhë.
Nga kufizimet e Bankës Popullore për tërheqjen deri në 10.000 denarë në javë, janë prekur edhe pensionistët të cilët marrin pensionin nëpërmjet kësaj banke, pasi ata nuk mund ta marrin pensionin e plotë.
“Ata me mesazhe kalojnë të parët, pastaj ne do të kalojmë.”, - tha një qytetare.
“Nuk e di, unë nuk kam as mesazh, as asgjë, as numër nuk kam. E mora nga sporteli.”, - tha një qytetare.
“Në vend se 35.000 denarë, pensionin ma kanë shkruar 24.000 denarë.”, - u shpreh një qytetar.
Përplasje për Bankën ALTA, Mickoski premton kthimin e parave
Por, kryeministri Hristijan Mickoski garanton se qytetarëve do t’u kthehen paratë deri në centin e fundit. Ai thotë se banka është në gjendje të mirë dhe se po punohet për zgjidhjen e problemit.
Ai akuzon opozitën se po gëzohet me vështirësitë e qytetarëve, në vend që të kontribuojë në tejkalimin e situatës.
“Unë edhe dje edhe sot them se Qeveria dhe LSDM-ja kanë ambicie të ndryshme. Ata gëzohen për skenarët e errët, ne mundohemi të gjejmë zgjidhje, blerës, që ta blejë bankën, sepse është në gjendje të mirë. Ata gëzohen nëse qytetarët nuk dëmshpërblehen sipas principit të TAT, nga koha e LSDM-së, Bankës Eurostandard, por unë them se deri në centin e fundit gjithçka do të kthehet.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM-ja kërkon të hetohet origjina e kapitalit
Por, LSDM-ja hedh dyshime mbi përpjekjet për shitjen e bankës. Zëdhënësja Bogdanka Kuzeska akuzon kryeministrin Mickoski dhe guvernatorin Trajko Sllaveski se kanë mundësuar hyrjen e Bankës ALTA në vend me kapital të dyshimtë.
Sipas saj, pushteti po ushtron presion ndaj blerësve potencialë, me qëllim që të mbulohet përgjegjësia për rastin.
“Tani, ata që morën vendimet e dëmshme, ata që mundësuan hyrjen e Bankës ALTA po njoftojnë shitjen te një pronar i ri. Qëllimi është të mbulohen gjurmët, të pengohet zbulimi i krimit. Kush do të dëshironte të blinte një bankë me një reputacion të tillë, një bankë ku origjina e kapitalit është nën dyshim?”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Nga LSDM-ja kërkojnë hetim të menjëhershëm ndaj kryeministrit, guvernatorit dhe ministres së Financave, si dhe përfshirjen e Prokurorisë Evropiane për të hetuar qarkullimin dhe prejardhjen e kapitalit të bankës.
Por, kryeministri Mickoski e cilëson krizën si problem të importuar nga Serbia, duke paralajmëruar pasoja edhe për kompanitë vendore që bashkëpunojnë me bizneset serbe. Sipas tij, disa prej tyre tashmë përballen me llogari të bllokuara dhe ndërprerje të aktivitetit.
BENJAMIN ARIFI
