Maqedoni

Banka ALTA ShA Manastir, Sllavevski: Rritet limiti javor nga 10 në 15 mijë denarë

06.11.2026 17:17

Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski, ka njoftuar lehtësime të kushteve...

Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski, ka njoftuar lehtësime të kushteve për tërheqjen e mjeteve nga ana e klientëve nga Banka ALTA ShA Manastir. Sllavevski njoftoi për tre lehtësime përfshi rritjen e kufizimeve për shfrytëzimin e kartelave pagesore dhe tërheqjen e rrogave, pensioneve dhe transfereve sociale.
 
Vetëm sot janë shërbyer 660 klientë në 6 sportele, tha Sllavevski, sipas të cilit, Banka ALTA ShA Manastir i ka shërbyer të gjithë klientët të cilët kanë pritur para sporteleve të kësaj banke, pjesa më e madhe e të cilëve shfrytëzues të ndihmës sociale dhe pensionistë.
 
Banka do të punojë edhe të shtunën në dy ndërrime. Në mesin e lehtësimeve është edhe ajo se për qytetarët nga Resnja, Prilepi dhe Ohri do të organizohet transport me autobusë deri te Banka ALTA në Manastir që të mund t’i tërheqin pensionet e tyre. Ndërsa nga e hëna, më 9 nëntor do të hapen sportele në Tetovë dhe Strumicë, ku qytetarët të cilët nuk kanë kartela pagesore do të mund t’i tërheqin deri në 20 mijë denarë. 
 
“Nga java e ardhshme limiti javor për tërheqjen e parave të gatshme apo pagesave me kartela rritet nga 10 mijë në 15 mijë denarë. Lehtësimi i tretë ka të bëjë me të gjitha mjetet nga rrogat, pensionet dhe transferet sociale që vijnë nga institucionet apo ndërmarrjet të cilat kanë llogari në banka tjera, ata qytetarë do të mund të tërheqin në tërësi pa kufizim të mjeteve.”, - deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski.
 
Sllavevski: Banka ALTA ShA Manastir pret blerësin e ri
 
Sllavevski njëherësh theksoi se Banka ALTA ShA Manastir vazhdon të punojë, nuk është në falimentim dhe nuk i është marr licenca për punë.
  
“Administrimi është masë e përkohshme, e cila aplikohet deri në ndryshimin e pronësisë. Gjendja në bankë është e mirë, është likuide dhe me kapital të lartë dhe kualitet solid të portofolit kreditor. Mjetet e klientëve mbeten në llogaritë e tyre bankare, kufizimet e përkohshme kanë të bëjnë me mënyrën e posedimit të mjeteve të vendosura, me qëllim të ruajtjes së likuiditetit të bankës dhe të mbrohen interesat e të gjithë atyre që kanë kursyer.”, - theksoi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski.
 
Sllavevski njëherësh bëri të ditur se po kërkohet blerës për bankën, për çka ka të atillë që shprehin interesim, por, siç ka thënë edhe kryeministri, jemi proaktiv, tha guvernatori Sllavevski. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI