Sulejmani: Të rinjtë dhe të arsimuarit po largohen nga Maqedonia e Veriut, vendi përballet me plakje të popullsisë
Ajo iu referua edhe një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku, sipas saj, theksohet se pjesa më e madhe e personave që emigrojnë janë të moshës 20 deri në 30 vjeç, përfshirë edhe individë me arsimim mbi mesataren.

Të rinjtë, veçanërisht ata të moshës 20 deri në 30 vjeç dhe personat me nivel më të lartë arsimimi, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve që largohen nga Maqedonia e Veriut. Kështu ka deklaruar profesoresha Liza Alili Sulejmani në emisionin “Biznes Plus” në TVM2.
Ajo iu referua edhe një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku, sipas saj, theksohet se pjesa më e madhe e personave që emigrojnë janë të moshës 20 deri në 30 vjeç, përfshirë edhe individë me arsimim mbi mesataren.
Sipas Alili Sulejmanit, kjo dukuri nuk nënkupton vetëm largimin e fuqisë punëtore, por edhe humbjen e kapitalit njerëzor dhe përshpejtimin e plakjes së popullsisë.
Duke iu referuar të dhënave të regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, profesoresha tha se Maqedonia e Veriut kishte rreth 1 milion e 834 mijë banorë rezidentë, afërsisht 185 mijë më pak krahasuar me regjistrimin e vitit 2002.
Ajo theksoi se, përveç rënies së numrit të banorëve, vendi po përballet edhe me ndryshime në strukturën e popullsisë, veçanërisht me rritjen e pjesëmarrjes së grupmoshave të moshuara.
