Maqedoni

Banka Alta, qytetarët tërheqin paratë në Manastir

07.11.2026 15:07

Në ekspoziturën e Bankës Alta në Manastir pati sërish lëvizje të theksuar të qytetarëve....

Në ekspoziturën e Bankës Alta në Manastir, e vetmja ku aktualisht po funksionojnë sportelet për tërheqjen e parave, pati sërish lëvizje të theksuar të qytetarëve. Ndërkohë nën organizimi të Bankës Popullore, në Manastir arritën autobusë me pensionistë dhe përfitues të ndihmës sociale nga Prilepi, Resnja dhe Ohri të cilët udhëtuan për t'i tërhequr paratë e tyre.  Ndërkohë, nga e hëna, sportelet e Bankës Alta do të hapen edhe në Tetovë dhe Strumicë. Qytetarët që sot i tërhoqën paratë në Manastir thonë se procesi ishte relativisht i shpejtë, por shprehen të lehtësuar që tashmë kanë mundësi t'i marrin mjetet e tyre.
 
“Shpejt e përfundova, i tërhoqa paratë dhe gjithçka mbaroi shumë shpejt.”, u shpreh një qytetar.
 
“Edhe unë përfundova. Isha këtu për nënën time, ajo merr pension gjerman.”, theksoi një qytetar.
 
“Tani puna po ecën më shpejt.”, tha një qytetar.
 
Akuza mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së
 
Për situatën me Bankën Alta vazhdojnë reagimet e partive politike LSDM dhe VMRO-DPMNE. Bogdanka Kuzheska nga LSDM, tha se Mickoski fillimisht kishte vendosur për hyrjen e bankës në vend, ndërsa tani po merr përsipër edhe procesin e shitjes së saj. 
 
Nga LSDM-ja përsëritën akuzat se pas hyrjes së bankës në Maqedoni qëndron kapital i dyshimtë, duke e lidhur rastin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe biznesmenin Davor Macura. Kuzheska kërkoi që Prokuroria të hapë hetim ndaj të gjithë personave të përfshirë.
 
“A ekzistojnë në kasafortën dhe dokumentacionin e Bankës Alta në Manastir 80 milionë euro në para të gatshme ose ekuivalentë të ngjashëm me para të gatshme? Kaq është shuma e paraqitur në bilancin e bankës. Ka pasur kohë të mjaftueshme për ta verifikuar këtë dhe kërkojmë që të prononcohet menjëherë. Meqenëse në bankën e Macurës në Beograd këto mjete nuk ekzistonin, dyshimi është i bazuar se ato nuk ekzistojnë as në Manastir. Prokurori Savski, pas këtyre pranimeve, ka detyrim ligjor të reagojë. Të hapë menjëherë hetim edhe ndaj Mickoskit, Sllaveskit dhe Koçoskës. Të përfshihet edhe Prokuroria Evropiane për të verifikuar qarkullimin e të gjitha parave të lidhura me Bankën Alta. Të gjithë të përfshirët në skandalin me Bankës Alta duhet të japin përgjegjësi!”, deklaroi Bogdanka Kuzheska nga LSDM.
 
Nga VMRO-DPMNE-ja, ndërkaq, i kundërpërgjigjen LSDM-së me akuza për përpjekje për sabotim të sistemit bankar. Brane Petrushevski nga kjo parti deklaroi se Venko Filipçe dhe partnerët e tij politikë duhet të mbajnë përgjegjësi penale për, siç tha, përhapjen e gënjeshtrave dhe manipulimeve lidhur me rastin e Bankës Alta.
 
“Pse Filipçe dhe LSDM-ja janë kaq të zëshëm për çështjen e Bankës Alta? Mos vallë po pret ndonjë biznesmen i afërt me Zaevin, i gatshëm ta blejë bankën me një çmim simbolik? Përndryshe, pse do të dëshironte LSDM-ja që një bankë të falimentojë, sipas skenarit të Bankës Eurostandard? I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që të veprojë pas marrjes së informacionit publik dhe t’i thërrasë në bisedë informative të gjithë ata që po përpiqen të cenojnë rendin kushtetues të shtetit.”, u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Kujtojmë se Banka Popullore më 1 nëntor vendosi administrim të përkohshëm në Bankën Alta SHA Manastir, pasi bankës amë në Beograd iu hoq licenca e punës dhe u hap procedurë falimentimi. Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, paralajmëroi se nga e hëna qytetarët pa kartela pagesore do të mund të tërheqin deri në 20 mijë denarë në sportele, kufiri i tërheqjes së parave me kartela pagesore rritet nga 10 mijë në maksimum 15 mijë denarë, ndërsa të gjitha hyrjet e reja të mjeteve nga kompanitë që kanë llogari në banka të tjera qytetarët do të mund t'i tërheqin në tërësi, pa kufizim të shumës.
 
FLORIJE KAMBERI