E vërteta mbi ngjarjet e Bit Pazarit, 34 vite dhimbje e kujtesë në librin e Qerim Litës

07.11.2026 17:04

6 nëntori i vitit 1992 nuk është thjesht një datë në histori....

6 nëntori i vitit 1992 nuk është thjesht një datë në histori. Është kujtesa e jetëve të humbura gjatë dhunës dhe terrorit policor në atë që njihet si ngjarjet e Bit Pazarit. Për të mos harruar atë që ndodhi, në 34-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, në ambientet e Teatrit Shqiptar në Shkup u promovua libri “E vërteta mbi ngjarjet e Bit Pazarit (1992)”, i autorit Qerim Lita, një vepër që rikthen në vëmendje një nga kapitujt më të errët të historisë së shqiptarëve në këto troje. Përmes dëshmive rrëqethëse, rrëfimeve të të mbijetuarve dhe fotografive, disa prej të cilave bëhen publike për herë të parë, libri sjell para lexuesit jo vetëm dokumentimin e një ngjarjeje historike, por edhe dhimbjen, frikën dhe padrejtësinë që përjetuan shqiptarët atë ditë.
 
“Libri ‘E vërteta mbi ngjarjet e Bit Pazarit’ nuk është thjesht një kronikë e shkruar në letër, por është një monument dokumentar për katër jetë të këputura në pabesi, për qindra shqiptarë të mbytur dhe për një plagë që ende dhemb në faqet e historisë sonë kombëtare”, u shpreh autori i librit, Qerim Lita.
 
“34 vjet më vonë, ne qëndrojmë këtu për të shqiptuar emrat e viktimave, sepse emrat e tyre nuk duhen të mbulohen nga pluhuri i harresës: Shemsedin Ibrahimi, Dini Safet Sejfullahi, Sulejman Ibishi, Violeta Kleskovska”, theksoi në emër të familjarëve Muhedin Sejfullai.
 
Pas këtyre emrave qëndrojnë jetë të ndërprera, familje që mbartin dhimbjen prej më shumë se tri dekadash dhe një ngjarje që la gjurmë të thella në kujtesën kolektive.
 
“Atë ditë, policia ndërhyri ndaj një të riu që shiste cigare në treg. Pas përhapjes së lajmit se policia kishte ushtruar dhunë ndaj tij, qytetarët dolën në protestë. Gjatë protestës, policia përdori forcë të tepruar. Për shumë prej tyre që ishin në Bit Pazar atë ditë, pasojat vazhduan për vite. Shumë prej të rinjve e njohin këtë ngjarje përmes rrëfimeve të prindërve të tyre. Në librin ‘E vërteta mbi ngjarjet e Bit Pazarit (1992)’, që po e promovojmë sonte këtu në Teatrin Shqiptar, historiani Qerim Lita u jep mundësinë t'i njohim këto ngjarje edhe përmes dokumenteve dhe hulumtimit historik”, u shpreh kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
 
“Themi se rëndësia e Bit Pazarit është historike, ngaqë ishte përgjigje e dhunshme e autoriteteve të kohës përballë kërkesave politike të popullatës shqiptare”, theksoi Hysen Matoshi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.
 
“Institucionet tona do të duhet ta mbanin gjallë kujtesën për këtë ngjarje, me të vetmin qëllim që tragjedi të tilla të mos përsëriten”, theksoi Nuredin Ahmeti nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.
 
Gjatë promovimit u shfaq edhe një videodokumentar me dëshmitë e tre personave që i mbijetuan dhunës policore, duke rikthyer emocionet dhe kujtimet e asaj dite të përgjakshme. Dokumentimi i ndodhive të Bit Pazarit 34 vite më parë është një detyrim ndaj viktimave, të mbijetuarve dhe brezave që duhet ta njohin historinë, që ajo të mos përsëritet.
 
ABIBE QAILI