Botë

Wikileaks godet sërish, NSA përgjoi presidentët francezë

24.06.2015 17:48

Sipas dokumenteve të publikuara nga Wikileaks, nga ana e gazetës "Liberasion"...

Sipas dokumenteve të publikuara nga Wikileaks, nga ana e gazetës "Liberasion",  SHBA-ja mes vitit 2006 dhe 2012 i ka spiunuar tre presidentët e fundit francezë, Zhak Shirak, Nikola Sarkozi dhe Fransoa Oland.
 
Bëhet fjalë për pesë raporte të shërbimit amerikan, NSA, të cilat bazohen në përgjimin e komunikimeve. Dokumenti më i ri me datë nga 22 maj 2012, gjegjësisht vetëm disa ditë pas hyrjes së Fransoa Olandit në Pallatin e Eliseut.
 
Në të flitet për takimet sekrete në të cilat është folur për daljen eventuale të Greqisë nga eurozona.
 
Lidhur me Nikola Sarkozin, dokumentet tregojnë se ish presidenti në vitin 2008 shihej si "njeriu i vetëm i aftë" ta zgjidhë krizën financiare. Parisi nuk do të tolerojë asnjë veprim që rrezikon sigurinë e tij, deklaroi sot presidenca franceze në përfundim të një takimi urgjent të kërkuar nga François Hollande pas zbulimeve për përgjime nga SHBA-ja të tre presidentëve të fundit francez.
 
“Angazhimet ishin marrë nga autoritetet amerikane, të cilët u angazhuan në fund të vitit 2013 për të mos përgjuar më aleatët e tyre”- konfirmoi Elyse në një komunikatë, duke dënuar faktet e papranueshme.
NSA as nuk i mohoi dhe as i pohoi materialet në fjalë. Zëdhënësi i saj, Ned Price, tha se “nuk ka ndërmend të komentojë asnjë rast specifik përgjimi”.
 
“Në përgjithësi nuk ndërmarrim aktivitete përgjuese nëse nuk kanë për qëllim sigurinë kombëtare. Kjo vlen si për qytetarë të zakonshëm, ashtu edhe për udhëheqës botërorë. Presidenti Hollande nuk është në shënjestrën tonë. Ne punojmë ngushtë me Francën, si një partnere e padiskutueshme e jona”- deklaroi zëdhënësi i NSA, Ned Price.
 
Deklarata interpretohet nga mediat amerikane si pohim i ekzistencës së përgjimeve në të shkuarën, përfshi këtu edhe presidentin Hollande. Megjithatë, duket se këto publikime nuk kanë kapur në befasi francezët. 
 
Viktimë e përgjimeve ka qenë edhe Gjermania, madje edhe vetë kancelaria, Angela Merkel. Publikimi i përgjimeve në mediet gjermane shkaktoi reagimin e Merkelit, që tha se “përgjimi mes aleatëve është mungesë besimi”.
 
Por, Berlini u përfshi vetë në vorbullën përgjuese pas publikimeve, sepse Gjermania shfrytëzonte SHBA-të për të përgjuar Francën dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel.
 
LEUNORA KALIQI