Rajon

Tiranë, katër të arrestuar dhe shtatë të proceduar penalisht pas protestës së së shtunës

08.11.2026 11:56

Katër persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së tensionuar të së shtunës në Tiranë....

Katër persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së tensionuar të së shtunës në Tiranë. Policia ka vendosur gjithashtu 12 masa administrative ndaj pjesëmarrësve në tubim.
 
Gjatë protestës, tensione dhe përplasje u regjistruan përpara Ministrisë së Arsimit dhe godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit hodhën gurë, mjete piroteknike dhe koktej molotov, ndërsa policia ndërhyri me automjete që hedhin ujë me presion.
 
Sipas njoftimit të Policisë, katër personat e arrestuar janë të moshave nga 19 deri në 34 vjeç. Ata dyshohen për kundërshtimin dhe goditjen e punonjësve të policisë me sende të forta dhe lëndë piroteknike, si dhe për bllokimin e qarkullimit dhe djegien e kazanëve të mbeturinave.
 
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar një sasi lënde narkotike kanabis, një send metalik shpues, një send imitues të armës së zjarrit, 50 sfera metalike dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për hedhjen e gurëve.
 
Ndërkohë, në bazë të Aktit Normativ të miratuar më 28 tetor, janë shqiptuar 12 masa administrative. Njëra prej tyre, në vlerën 500 mijë lekë, është vendosur ndaj një personi që, sipas policisë, i maskuar me kapuç, ka goditur me gurë punonjësit e policisë dhe godinën e Kryeministrisë, duke mos iu bindur thirrjeve për ndërprerjen e veprimeve të dhunshme.
 
Policia njofton se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në incidente dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.