Fruthi kërcënon të pavaksinuarit, ende nuk ka bazë për shpalljen e epidemisë

08.11.2026 14:44

Mbulimi i ulët me vaksinën kundër fruthit në vend paraqet rrezik serioz për përhapjen e mëtejshme të virusit...

Mbulimi i ulët me vaksinën kundër fruthit në vend paraqet rrezik serioz për përhapjen e mëtejshme të virusit, veçanërisht tek fëmijët dhe personat e pavaksinuar. Megjithatë, numri aktual i rasteve të konfirmuara nuk përbën bazë të mjaftueshme epidemiologjike për shpalljen e epidemisë. Institucionet shëndetësore janë në gjendje gatishmërie thotë për TVM2 drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana, ndërsa shton se situata po monitorohet me kujdes për të parandaluar përhapjen e mundshme të infeksionit.
 
“Pasi që në  vendet fqinje veç ka epidemi të fruthit, tash raste sporadike janë paraqitur edhe në vendin tonë. Normal që Ministria e Shëndetësisë në komunikim me Klinikën për Sëmundje Infektive, Klinikën për Sëmundje të fëmijëve dhe ISHP ka bërë të gjitha përgatitjet në rast të shpërthimit të epidemisë së fruthit.”, u shpreh për TVM2 drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana.
 
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikime serioze, si pneumoni dhe encefalit, ndërsa në rastet më të rënda mund të përfundojë edhe me fatalitet. Rreziku është veçanërisht i lartë te personat e pavaksinuar, fëmijët e vegjël dhe ata me imunitet të dobësuar. Përhapja e virusit mund të ndodhë shpejt, madje edhe përmes qëndrimit në të njëjtën hapësirë me një person të infektuar.
 
“Infektueshmëria e fruthit është shumë e lartë, e nivelit ndoshta më të lartë nga sëmundjet infektive dhe përhapja e tij posaçërisht në popullatën që nuk është e vaksinuar apo nuk e ka kaluar fruthin përhapja mund të jetë shume e furishme.”, theksoi Cana për TVM2.
 
Mbrojtja më e sigurt dhe më efektive kundër fruthit mbetet vaksinimi me vaksinën MRP thekson Cana. Ai apelon që prindërit të kontrollojnë statusin e imunizimit të fëmijëve dhe të mos vonojnë marrjen e dozave të parapara sipas kalendarit të vaksinimit. Sipas tij, rritja e mbulimit me vaksinim është thelbësore për krijimin e imunitetit kolektiv dhe për mbrojtjen e atyre që ende nuk mund të vaksinohen.
 
SARA KAJOLLI