LSM: Paga minimale prej 600 euro në vendnumëro
08.11.2026 13:22
Pothuajse një vit nga ngritja e kërkesës për rritjen e pagës minimale, çështja vazhdon të mbetet në vendnumëro...

Pothuajse një vit nga ngritja e kërkesës për rritjen e pagës minimale, çështja vazhdon të mbetet në vendnumëro. Rritja e pagës minimale mbetet një nga çështjet e pazgjidhura në dialogun mes sindikatave, punëdhënësve dhe Qeverisë. Pavarësisht gjithë këtyre muajve, sindikalistët, punëdhënësit dhe përfaqësuesit e Qeverisë ende nuk mund të gjejnë “gjuhë të përbashkët” dhe të arrijnë marrëveshje. Sindikalistët këmbëngulin se paga minimale duhet të jetë patjetër 600 euro, ndërsa krahas kësaj kërkojnë edhe rritje lineare prej të paktën 100 eurosh për pagat e tjera.
“Ajo që është e dukshme është se në Maqedoni nuk ka absolutisht asnjë dëgjim, punëtorët mbahen në varfëri sepse një e treta e numrit të përgjithshëm të punëtorëve jeton nën pragun e varfërisë prej 31,200 mijë denarësh me të ardhura mujore, ndërsa gjysma e punëtorëve në Maqedoni marrin një pagë nën 600 euro, prandaj kërkesa e LSM-së për një rritje urgjente të pagës minimale jo vetëm që ishte e justifikuar, por edhe thelbësore për përmirësimin e standardit thelbësor të punëtorëve. Ajo që shohim është se nuk ka absolutisht asnjë dëgjim, nuk ka asnjë interes nga ana e qeverisë dhe punëdhënësve për ti ndryshuar gjërat sa i përket rritje së pagës minimale.”, u shpreh kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
Megjithatë sindikalistët nuk heqin dorë nga beteja e tyre. Trendafilov shprehet optimist se përmes prezantimit të filmit dokumentar 20-minutësh „Një deputet Një pagë minimale, Realiteti i mijëra punëtorëve”, do të arrijnë të sensibilizojnë opinionin për vështirësitë me të cilat përballen mijëra punëtorë për të përballuar shpenzimet mujore dhe njëkohësisht të shtojnë presionin për rritjen e pagës minimale. Në të kundërtën, LSM-ja nuk e përjashton rikthimin e protestave dhe bllokadave si forma të tjera të presionit.
“Kemi realizuar një film dokumentar, të cilin do ta transmetojmë dhe përmes të cilit do të dëshmojmë se as deputetët nuk mund të mbijetojnë me pagën minimale. Do të tregojmë se jeta jo vetëm që është e vështirë, por njerëzit detyrohen të zgjedhin mes asaj se çfarë duhet të blejnë dhe çfarë të çojnë në shtëpi për familjet e tyre. Sot, shporta minimale sindikale kushton mbi 70 mijë denarë. Por, ajo që është edhe më shqetësuese, është se vetëm shpenzimet për ushqim dhe pije tejkalojnë 26 mijë denarë, aq sa është paga minimale.”, tha Trendafilov.
Deri më tani janë mbajtur disa takime të Këshillit Ekonomik-Social. Për momentin, sindikalistët nuk e dinë se kur do të mbahet takimi i radhës dhe nëse të do të diskutohet edhe per rritjen e pagës minimale. Duke pasur parasysh praktikën e deritanishme, që takimet të mbahen çdo dy deri në tre muaj, thotë Trendafilov, ai nuk pret një epilog pozitiv për rritjen e pagës minimale. Me rritjen e fundit, paga minimale tani është 26.046 denarë.
REXHEP QAMILI
