Maqedoni

Kërçovë, pastrohet shtrati i lumit të Zajazit

08.11.2026 14:24

Në kuadër të një aksioni ekologjik, është pastruar nga mbeturinat shtrati i lumit të Zajazit, nga fshati Kolibarë deri në lagjen Pashinë të Kërçovës, si dhe lumi “Bara” në fshatin Cërvicë....

Projekti ekologjik për pastrimin e lumit “Bara” që kalon përmes fshatit Cërvicë dhe shtratit të lumit të Zajazit nga fshati Kolibarë, deri në hyrje të qytetit të Kërçovës, është pastruar tërësisht nga mbeturinat të cilat gjatë viteve të kaluara kanë shkaktuar vërshime dhe përmbytje në disa lagje të qytetit. Falë mbështetjes së drejtorisë së Termocentralit të Osllomesë, kemi arritur ti pastrojmë mbeturinat e lumit të fshatit Cërvicë dhe lumit të Zajazit nga fshati Kolibar e deri në lagjen Pashinë të Kërçovës në një gjatësi prej afro 5 kilometrash, thotë kryetari i KO-së, Feto Dauti.

“Si ide më lindi edhe për të pastruar shtratin e lumit të Zajazit, se me të vërtetë ishte, siç e shihni, në gjendje katastrofike. Pjesa e Kolibarit deri te ura e Pashinit, pasi që vjet ka pasur përmbytje katastrofike. Shpresoj dhe mendoj se me pastrimin, cep më cep, të këtij lumi, do të shmangen përmbytjet në të ardhmen. Që në ditët e para të formimit të këtij projekti, së bashku me kryetarin, të cilin e falënderoj, kryetarin e bashkësisë lokale, bashkë me nënkryetarin si dhe kryeinxhinierin e termocentralit, zotin Besnik Çeliku, që kanë qenë gjithë këto ditë së bashku për të pastruar, për ta çuar këtë projekt deri në fund, te ura e Pashinit, që të mos kemi më përmbytje.”, u shpreh kryetari i KO-së, Feto Dauti.
 
Ky aksion ekologjik thotë ai, do të evitojë vërshimet dhe pasojat e përmbytjeve, sidomos në lagjet e qytetit “Pashinë” dhe “Prilepska”, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ndërpresin praktikën e hudhjes së mbeturinave në brigjet e lumenjëve, që sjellin përmbytjet e shpeshta me pasoja të mëdha për banorët e kësaj ane.
 
SHABAN DALIPI