Maqedoni

Provimi i Jurisprudencës, Fillkov: Duhet të jepet në gjuhën maqedonase

08.11.2026 14:42

Filkov mbështet qëndrimin e liderit të partisë, Maksim Dimitrievski, se provimi i jurisprudencës duhet të jepet ekskluzivisht në gjuhën maqedonase...

Ish-ministri i Drejtësisë dhe funksionari i Lëvizjes "E Di", Igor Filkov, mbështet qëndrimin e liderit të partisë, Maksim Dimitrievski, se provimi i jurisprudencës duhet të jepet ekskluzivisht në gjuhën maqedonase. Filkov thotë se aktualisht nuk ekziston mundësia që provimi të jepet në një gjuhë tjetër, duke iu referuar Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Ai theksoi se qëndrimi i tij për këtë çështje ka qenë i njëjtë edhe gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë.
 
“Ne, si "E Di", jemi konsekuentë dhe parimorë në qëndrimin të cilin unë e kam përfaqësuar që kur isha ministër dhe qëndroj prapa të njëjtit. Për momentin nuk ka mundësi për dhënien e provimit në një gjuhë tjetër, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Maqedonisë. Të presim që të gjendet një zgjidhje, ta shohim dhe pastaj do të bisedojmë... Nuk bëhet fjalë për atë nëse unë jam kundër apo pro. Së pari, për atë zgjidhje hibride, le ta quajmë kështu, unë kam mësuar nga ju, mediat. Unë nuk kundërshtoj që dikush ta japë provimin në atë gjuhë që është e mundësuar në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, por ajo që më shqetëson mua është se një zgjidhje e tillë hibride u refuzua nga ata të cilët protestojnë dhe kundërshtojnë që ta japin provimin në gjuhën që duhet të përdoret në të gjitha ato institucione ku planifikojnë të punojnë, si gjyqtarë, avokatë, prokurorë dhe të ngjashëm. Kjo është më shumë se shqetësuese.”, u shpreh ish-ministri i Drejtësisë dhe funksionari i Lëvizjes "E Di", Igor Filkov
 
Ndërkohë, Adnan Azizi nga VLEN, ditë më parë ka reaguar ndaj qëndrimeve të Lëvizjes "E Di". Ai ka shkruar se Provimi i Jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe, i pëlqeu kjo Lëvizjes "E Di" ose jo duke shtuar se për të drejtat e shqiptarëve pyetet VLEN-i. 
 
Ndërkohë, lidhur me raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026, Filkov vlerëson se ai konfirmon reformat e realizuara në Ministrinë e Drejtësisë gjatë dy viteve të fundit. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë përgatitur gjithsej 33 ligje, të cilat kanë vendosur themelet për reformimin e sistemit të drejtësisë. Megjithatë, Filkov pranon se raporti evidenton edhe sfida serioze, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, mungesën e burimeve financiare dhe njerëzore, pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe efikasitetin e procedurave gjyqësore.
 
FLORIJE KAMBERI