Botë
Franca i kërkon SHBA-së llogari për spiunimin
24.06.2015 14:03
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Paris, Jane Hartly është thirrur në takim për të shpjeguar prentendimet se SHBA ka spiunuar zyrtarë francezë...

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Paris, Jane Hartly është thirrur në takim për të shpjeguar prentendimet se SHBA ka spiunuar zyrtarë francezë, veprime këto që presidenti francez Francois Hollande i quajti të “papranueshme”.
Presidenti Hollande sot ka mbledhur shefat e sigurimit në një takim urgjent, pasi që disa dokumente që kanë rrjedhur nga ueb-faqja WikiLeaks tregonjë se Uashingtoni kishte spiunuar për vite me radhë Hollandin dhe dy paraardhësit e tij.
Burimet qeveritare thonë se Ministria e Jashtme e Francës ka thirrur në takim ambasadoren amerikane Jane Hartley, për të diskutuar për këto pretendime. Hartley do të takohet edhe me ministrin e jashtëm francez, Lorent Fabius gjatë ditës së sotme.
Zëdhënësi i qeverisë, Stephane Le Foll ka thënë se Franca do të dërgojë në Uashtington Didier Le Bret, koordinatori kombëtar i inteligjencës së Francës, për të diskutuar për këto pretendime.
WikiLeaks ka publikuar dokumente më 23 qershor, të cilat tregojnë se Agjencia Kombëtare për Siguri e Shteteve të Bashkuara, ka spiunuar Hollande dhe dy paraardhësit e tij, Nicolas Sarkozy dhe Jacques Chirac.
Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar që të komentojë por ka thënë se spiunon vetëm për arsye të sigurisë kombëtare./evropaelire
