Norris triumfon në Interlagos, Mercedes kampion për konstruktorë
09.11.2026 14:33
Në Çmimin e Madh të Sao Paulos në Formula 1, fitoren për të dytin vit radhazi e siguroi piloti britanik i McLarenit...

Në Çmimin e Madh të Sao Paulos në Formula 1, fitoren për të dytin vit radhazi e siguroi piloti britanik i McLarenit, Lando Norris, i cili u nis nga pozita e parë në pistën Interlagos. Për Norrisin, i cili humbi titullin e kampionit të botës, kjo ishte fitorja e katërt këtë sezon dhe e 14-ta në karrierën e tij. Max Verstappen nga Red Bulli përfundoi në vendin e dytë në garën e zhvilluar në kushte shiu, pasi ishte nisur nga pozita e 21-të.
Në vendin e tretë u rendit bashkëpiloti i tij, Isack Hadjar. George Russell nga Mercedes përfundoi i katërti, ndërsa Kimi Antonelli i pesti. Mercedes të dielën siguroi titullin e nëntë të kampionit të botës në konkurrencën e konstruktorëve në Formula 1, duke kompletuar kështu triumfin e dyfishtë. Ky është titulli i parë për Mercedesin në konkurrencën e konstruktorëve që nga viti 2021. Ai vjen një javë pasi italiani 20-vjeçar Kimi Antonelli, në Mexico City, siguroi titullin e kampionit të botës në konkurrencën e pilotëve, katër gara para përfundimit të sezonit.
Mercedesit i nevojiteshin vetëm tri pikë më shumë se Ferrari për të siguruar titullin, ndërsa skuadra italiane në asnjë moment nuk arriti ta rrezikojë seriozisht vazhdimin e garës për titull. Charles Leclerc përfundoi në vendin e shtatë, ndërsa Leëis Hamilton në të nëntin. Në renditjen e përgjithshme, Antonelli kryeson me 390 pikë, Verstappen mban vendin e dytë me 279 pikë, Russell është i treti me 262 pikë, ndërsa Hamilton renditet i katërti me 261 pikë. Deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe tri gara.
Mercedes tashmë e ka siguruar titullin e nëntë të konstruktorëve, pasi kryeson me 652 pikë, ndërsa Ferrari në vendin e dytë ka 140 pikë më pak. Karvani i Formula 1 tani rikthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gara e radhës do të zhvillohet pas dy javësh në Las Vegas.
