Hoxha shënon gol dhe regjistron asistim për Leedsin
09.11.2026 14:43
Ditmir Hoxha po kalon një formë gjithnjë e më të mirë te skuadra e Leedsit, ku paraqitet me ekipin e dytë të këtij klubi....

Ditmir Hoxha po kalon një formë gjithnjë e më të mirë te skuadra e Leedsit, ku paraqitet me ekipin e dytë të këtij klubi. Në ndeshjen e zhvilluar gjatë fundjavës, Leedsi U21 shënoi fitore bindëse 5:1 ndaj Bournemouthit. Futbollisti i ri nga Struga u inkuadrua në lojë në minutën e 63-të dhe menjëherë arriti të shënojë në portën kundërshtare. Hoxha realizoi golin për rezultatin 4:1, ndërsa më pas kontribuoi edhe me një asistim në golin e pestë të Leedsit, duke kompletuar një paraqitje shumë të mirë.
Forma e tij padyshim që është një lajm i mirë edhe për përzgjedhësin Kapinkovski, pasi futbollisti i Leedsit pritet të jetë një nga pikat e rëndësishme të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut U19 në ditët në vijim. Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut U19 do të zhvillojë në Strumicë ndeshjet kualifikuese kundër Irlandës së Veriut, Zvicrës dhe Maltës. Sulmuesi shtatlartë, i cili gjatë verës u transferua nga Rabotniçki në Angli, ka regjistruar paraqitje edhe me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut U21.
