Kriza e Bankës ALTA, sportele të reja për tërheqjen e parave, vazhdojnë përplasjet mes pushtetit e opozitës
Klientët e Bankës ALTA që nuk kanë kartela pagesore...

Klientët e Bankës ALTA që nuk kanë kartela pagesore, prej sot mund të tërheqin para nga llogaritë e tyre edhe në ekspoziturat në Tetovë dhe Strumicë.
Nga java e ardhshme, limiti javor për tërheqjen e parave rritet nga 10 mijë në 15 mijë denarë. Ndërkohë që klientët përballen me këto kufizime, pushteti dhe opozita vazhdojnë akuzat dhe kundërakuzat lidhur me situatën e Bankës ALTA.
LSDM-ja kërkon hetim dhe potencon personalisht Hristijan Mickoskit si njeriun që qëndron pas sjelljes së Bankës ALTA në vend.
“Populli nuk ka qasje te paratë e veta, ndërsa ata që e sollën Bankën ALTA në Maqedoni po dakordojnë pronar të ri. Faktet janë të qarta si dita. Trajko Sllavevski dhe Hristijan Mickoski e sollën Bankën ALTA në Maqedoni, si shpërlarës i parave të Vuçiqit me kapital të dyshimtë. Trajko Sllavevski e pranoi publikisht se pas vendimit për Bankën ALTA qëndron Hristijan Mickoski.”, - deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Por, kryeministri thotë se nuk do të realizohen, siç i quajti, skenarët e errët të opozitës dhe banka do të shpëtohet nga pronarë të rinj.
“Opozita do të zhgënjehet, sepse skenarët e tyre të zinj dhe përpjekjet që Banka ALTA të përfundojë në pasiguri, përkatësisht në falimentim, nuk do të realizohen. Do të kemi një institucion financiar, një bankë që do të ketë pronar të ri. LSDM-ja ka ambicie të ndërthurura me skenarë të zinj, ndërsa ne kemi ambicie ta shpëtojmë bankën dhe ajo të vazhdojë të funksionojë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Prokuroria: Punojmë në bazë të dëshmive
Mickoski tha se pajtohet që Prokuroria ta hetojë këtë çështje, ndërsa Prokuroria Publike, duke iu përgjigjur LSDM-së, theksoi se nuk punon në bazë të kërkesave nga partitë politike.
“Prokuroria Publike hap lëndë bazuar në prova, e jo në bazë të kërkesave nga partitë politike.”, thanë nga Prokuroria Publike.
Banka Popullore më 1 nëntor vendosi administrim të përkohshëm në Bankën ALTA në vend, me kohëzgjatje prej tre muajsh, pas falimentimit të bankës amë në Beograd. Banka u përfshi në probleme pas zgjedhjeve në Serbi, kur më 30 tetor Banka Popullore e Serbisë ia hoqi licencën e punës Bankës ALTA në Beograd, për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare. (Benjamin Arifi, TVM2)
