Shërbimet bankare, nis zbatimi i standardeve të reja, qytetarët nuk e dinë çfarë sjellin risitë

09.11.2026 16:15

Nga sot, në Maqedoninë e Veriut zbatohen standardet e reja....

Nga sot, në Maqedoninë e Veriut zbatohen standardet e reja të pagesave bankare. Ndryshimet prekin formularët e pagesave, kodet për qëllimin e pagesës dhe mënyrën e paraqitjes së llogarive bankare.

Megjithatë, për shumë qytetarë, këto ndryshime ende mbeten të paqarta. Kanë dëgjuar se në sistemin bankar ka ndryshime, por pak prej tyre dinë se çfarë nënkuptojnë konkretisht.

“Po, jemi të informuar, ajo është procedura. Nëse ndërrohen, duhet edhe ne të përshtatemi.”, - tha një qytetar.

“Po, nuk e di do ta shohim ende është në fillim.”, - tha një qytetar tjetër.

“Jo! Nuk jam i informuar, nuk e di. Veç t’ju gënjej.”, - u shpreh një qytetar.

Në praktikë, ndryshimi më i dukshëm për qytetarët që paguajnë në sportelet e bankave është zëvendësimi i fletëpagesave të njohura deri më tani, me formularë të rinj, të standardizuar. Kështu, formular për qarkullim pagesor 30 (PP30), që përdorej për transfere dhe pagesa të zakonshme në denarë, zëvendësohet me transfer krediti në denarë (KTD).

Qarkullimi pagesor 50 (PP50), që përdorej për pagesa ndaj institucioneve buxhetore, si taksa dhe gjoba, zëvendësohet me transfer krediti për përfituesit buxhetorë (KTB). Ndërsa qarkullim pagesor 10 dhe 40 (PP10 dhe PP40), përkatësisht për deponim dhe tërheqje të parave të gatshme, zëvendësohen me Depozitim të parasë së gatshme (VG) dhe Tërheqje të parasë së gatshme (PG).

Nga Shoqata e Bankave e Maqedonisë, paraprakisht kanë bërë të ditur se të gjitha bankat kanë realizuar përshtatjet e nevojshme teknike për zbatimin e standardeve të reja. Sipas tyre, ndryshimet synojnë modernizimin dhe standardizimin e sistemit të pagesave në vend.

Ndërsa ndryshimet tashmë kanë hyrë në fuqi, mbetet e paqartë se çfarë përfitimi konkret do të kenë qytetarët nga sistemi i ri i pagesave.

Për këtë çështje, kemi kërkuar sqarim edhe nga Banka Popullore, për të mësuar se cilat janë lehtësimet që pritet të sjellë kjo reformë për qytetarët, por deri në përgatitjen e këtij materiali nuk kemi marrë përgjigje. (Sara Kajolli, TVM2)