Ndryshime për pushimin mjekësor, FSSh: Nga mjeku amë, maksimum 15 ditë

09.11.2026 17:25

Bordi Drejtues i Fondit të Sigurimit Shëndetësor...

Bordi Drejtues i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, miraton ndryshimet në Rregulloren që përcakton kriteret për konstatimin e ndërprerjes së përkohshme të punës. Me ndryshimet nuk shkurtohet e drejta për pushim mjekësor dhe as nuk kufizohet kohëzgjatja e tij kur ekziston nevojë mjekësore.

Mjeku amë vazhdon të jetë kompetent për të përcaktuar ndërprerjen e përkohshme të punës deri në 15 ditë, ndërsa për një periudhë më të gjatë se 15 ditë vendos Komisioni Mjekësor i Fondit.

“Ndryshimi nga shtatë në pesë ditë nuk do të thotë se pushimi mjekësor përfundon në ditën e pestë. Bëhet fjalë për periudhën pas së cilës, nëse gjendja shëndetësore kërkon vazhdimin e pushimit mjekësor, zbatohen kriteret mjekësore të parashikuara për diagnozën konkrete. Kufiri kryesor prej 15 ditësh, për të cilin është kompetent mjeku amë, mbetet i pandryshuar.”, - thuhet në kumtesën e Fondit.

Në të njëjtën kohë, ndryshimet sjellin disa lehtësime konkrete për të siguruarit dhe mjekët amë, me qëllim që të reduktohen procedurat administrative të panevojshme dhe lëvizjet e pacientëve nëpër sistemin shëndetësor.

“Për disa diagnoza nuk do të jetë e nevojshme që pacienti të dërgohet për analiza laboratorike; vlerësimin do të mund ta bëjë vetë mjeku amë. Për disa diagnoza zgjatet periudha kohore e parashikuar në kriteret. Pas ditës së 15-të, propozimin për ndërprerje të përkohshme të punës – NPP, mjeku amë do ta dorëzojë në mënyrë elektronike, në vend të procedurës së mëparshme manuale. Zgjerohen rastet kur pushimi mjekësor mund të përcaktohet pa praninë fizike të të siguruarit, veçanërisht për personat me sëmundje të rënda, personat e palëvizshëm ose me vështirësi në lëvizje, personat që janë të shtruar në spital, si dhe në raste të tjera të arsyeshme.”, thuhet në kumtesën e Fondit.

Për disa sëmundje të rënda parashikohen përjashtime nga detyrimi për mendim të konsiliumit mjekësor për pushimet mjekësore që zgjasin më shumë se 60 ditë.

Sipas komunikatës së fondit, zgjidhjet e reja janë rezultat i një pune profesionale dhe analize disamuajshe të kritereve ekzistuese, një pjesë e konsiderueshme e të cilave datojnë që nga viti 2012. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)