Maqedoni

Të respektojmë dallimet, fëmijët mësojnë të duan njëri-tjetrin

24.06.2015 15:14

Fëmijët, që në moshë të vogël duhet të krijojnë vetëbesim dhe siguri në vete, të pranojnë dallimet dhe ngjashmëritë mes njerëzve që janë të ndryshëm...

Fëmijët, që në moshë të vogël duhet të krijojnë vetëbesim dhe siguri në vete, të pranojnë dallimet dhe ngjashmëritë mes njerëzve që janë të ndryshëm, të njohin veprimet që fyejnë të tjerët dhe të kuptojnë pasojat nga veprimet e tilla dhe të mësojnë si të reagojnë gjatë manifestimeve të stereotipave, paragjykimeve dhe diskriminimit drejtuar kah vetja ose ndaj të tjerëve.
 
Dhe të gjitha këto mësohen në moshën më të hershme, që në kopsht. Një qëllim të tillë ka edhe projekti i UNICEF-it “Respektimi ndaj dallimeve dhe multikulturalizmit në zhvillimin e hershëm të fëmijëve”, që po zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. 
 
“Kur filluam  në nëntor të 2013, ne u ballafaquam me shumë dilema se si fëmijët do të reagojnë për programin pasi që ata janë të vegjël që të vërejnë dhe çmojnë dallimet. Ne duhet që të punojmë me prindërit dhe arsimtarët se si t’i mbështesin fëmijët që t’i pranojnë dallimet në fusha të ndryshme”- deklaroi zëvendësshefja e zyrës së UNICEF-it, Razha Msefer Berada.
 
“Vetëm së bashku mund të ndryshojmë botën, këtë nuk mund ta bënë dikush tjetër përveç nesh, por duhet të bashkëpunojmë me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. Investimi në të ardhmen është investim te fëmijët tanë, që ata të fillojmë të punojmë  që t’i pranojnë ndryshimet dhe të ndërtojnë një mendim tjetër. Gjithashtu nga të vegjlit mund të mësojmë edhe ne të rriturit”- tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
 
Në pilot-programin morën pjesë 10 kopshte nga komuna të ndryshme, ku ishin trajnuar 103 edukatore të cilat realizuan programin në 65 grupe në gjuhën maqedonase, 20 në gjuhen shqipe, 2 në gjuhën turke, 2 në gjuhën boshnjake dhe 5 në sistemin dygjuhësor. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ