Plenumet: Kushtetuesja të rrëzojë testimin ekstern

24.06.2015 15:24

Plenumi i Profesorëve pritet të parashtrojë iniciativë para Gjykatës Kushtetuese për kontestimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të testimit ekstern...

Sipas tyre, askush nuk kundërshton arritjen e arsimimit cilësor, por ky model i testimit ekstern është i dështuar dhe kërkohet model i ri i vlerësimit.

“Iniciativa veç më është e gatshme dhe nga sot po kërkojmë nënshkrime dhe përkrahje nga një numër sa më i madh i punonjësve të arsimit. Në kushte të tilla vështirë se mund të fillojë viti shkollor, ndoshta në të ardhmen plenumi do të vendos bojkotimin e procesit mësimor në shtator”- deklaroi Vllado Popovski nga Plenumi i Profesorëve.

Ky ligj është miratuar pa debat publik dhe nuk është në favor të procesit mësimor, vlerësojnë nga Plenumi i Nxënësve.

“Me dënime, ulje të të ardhurave personale dhe largim nga puna nuk mund të arrijmë asgjë. Plenumi i Nxënësve insiston për një arsimim cilësor dhe do të luftojë deri në fund për arritjen e të njëjtit”- tha Aleksandar Milevski nga Plenumi i Nxënësve.

Testimi ekstern shkakton vetëm stres dhe nuk e pasqyron diturinë reale, vlerëson deputetja, Sollza Gërceva, e cila ka pashtruar padi për disa dispozita.

“Unë veç më kam shkruar padinë, nuk mund të ketë zëvendësim të arsimtarëve përderisa janë në grevë, 1-shi nuk mund të shkruhet në dëftesë dhe të nxirret mesatarja dhe nuk mundet që arsimtarët të humbin vendin e punës”- theksoi deputetja e pavarur, Sollza Gërceva.

Por, MASH më shumë herë ka përsëritur se ligji nuk ka si qëllim dënimin e arsimtarëve, por matjen e njohurive.

Mësimdhënësi dënohet vetëm nëse për tre vjet radhazi radhitet në fund të listës, atëherë do të dënohen me nga 10% nga rroga për një vit shkollor. Por, nëse tre herë resht gjendet në fillim të listës së mësimdhënësve me sukses të lartë, rroga e tij do të rritet për 10% deri në pensionim.

Është pak e pabesueshme që i njëjti arsimtar të jetë 3 vjet resht në listën e atyre me rezultate të dobëta, thonë nga MASH. (Flutura Latifi, TVM2)