QKUSH, lëshohet në përdorim kardiokirurgjia shtetërore

24.06.2015 15:48

Në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup, u lëshua në përdorim kardiokirurgjia e parë shtetërore...

Bëhet fjalë për një objekt me sipërfaqe prej 750 metër katrorë në vlerë prej rreth 140 milion denarë dhe aparatura më bashkëkohore, për çka janë shpenzuar mbi 100 milion denarë. Kjo kardiokirurgji u ndërtua me ndihmën e mjekëve nga Dedinja, por edhe me ndihmën e kirurgëve italianë dhe zviceranë, por edhe nga Zagrebi. Së shpejti pacientët do të mund të shfrytëzojnë shërbime shëndetësore në kardiokirurgjinë shtetërore.

“Për dy deri në tre javë maksimalisht do të fillojnë të kryhen intervenime në kardiokirurgjinë shtetërore, duke pasur parasysh se pas ngjarjes së sotme duhet të kryhet sterilizim i detajuar. Në këtë moment, në këtë kardiokirurgji në mënyrë të kompletuar tërë ekipi është i gatshëm të kryej transplantim të zemrës. Ideja është që përveç intervenimeve kardiokirurgjike, të cilat do të kryhen tre deri në katër herë në ditë, të kryhen edhe intervenime vaskulare”- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.

Hapësira e Klinikës për kardiokirurgji shtetërore përmban dy salla të operacionit, kujdes intensiv me gjashtë krevate, dy dhoma spitalore me nga gjashtë krevate, ambulancë pranimi, dhomë pritjeje dhe hapësira shoqëruese. (Gyltene Sinani, TVM2)