Maqedoni
Fibroza cistike, Trikafta, shpresë e re për pacientët e vegjël
10.11.2026 14:09
Fibroza cistike është sëmundje e rrallë gjenetike dhe e trashëgueshme, që prek kryesisht mushkëritë dhe sistemin tretës...

Fibroza cistike është sëmundje e rrallë gjenetike dhe e trashëgueshme, që prek kryesisht mushkëritë dhe sistemin tretës, duke shkaktuar grumbullimin e sekrecioneve të trasha dhe vështirësi në funksionimin e organeve. Megjithatë, zhvillimi i mjekësisë dhe terapitë e reja kanë përmirësuar ndjeshëm perspektivën e pacientëve, thotë për TVM2 Rexhep Memedi, drejtor i Spitalit të Pediatrisë. Ai thekson se Trikafta, te pacientët që plotësojnë kriteret për përdorim, ndihmon në përmirësimin e funksionit të mushkërive dhe sistemit tretës, si dhe në reduktimin e komplikimeve shëndetësore.
“Fibroza cistike është një sëmundje e trashëgueshme, gjenetikisht e determinuar. Vitet e kaluara ka pasur një prognozë shumë të rëndë në kuptimin e jetëgjatësisë dhe cilësisë së jetës. Nga viti 2024 kemi nisur me Trikafta te pacientët e moshës mbi 12 vjeç dhe ata kanë qëndruar shumë më pak në spital, kanë pasur shumë më pak komplikime dhe cilësi shumë më të mirë të jetës së tyre.”, - deklaroi drejtori i Klinikës së Pediatrisë, Rexhep Mehmedi.
Përveç rezultateve të trajtimit, një zhvillim i rëndësishëm është edhe zgjerimi i numrit të pacientëve që do të përfshihen në këtë terapi.
“Këtë vit ka edhe buxhet për të gjithë këta pacientë, ku përfshihet edhe buxheti i vitit të ardhshëm dhe çdo vit do të bëjmë planifikime dhe do të sigurojmë Trikaftan, konform protokollit të ri që tani është zyrtar.” – theksoi drejtori i Klinikës së Pediatrisë, Rexhep Mehmedi.
Sipas Mehmedit, këtë vit terapia do të përfshijë 126 pacientë. Ndryshimi i rëndësishëm është se tani trajtimi do të mund të nisë që nga mosha dyvjeçare.
“Momentalisht kemi 126 pacientë që do ta pranojnë këtë terapi, nga mosha dy vjeç, për krahasim me vitin e kaluar kur kishim 82 pacientë mbi 12 vjeç. Çdo vit kemi raste të reja, sepse Maqedonia njihet si vend me incidencë pak më të lartë të rasteve me fibrozë cistike.”, - u shpreh drejtori i Klinikës së Pediatrisë, Rexhep Mehmedi.
Zbulimi i hershëm i fibrozës cistike bëhet përmes skriningut neonatal, ndërsa diagnoza konfirmohet me analiza shtesë gjenetike në Klinikën e Fëmijëve në Shkup. Edhe pse sëmundja mbetet kronike dhe kërkon trajtim të vazhdueshëm, qasja në terapinë adekuate mundëson më pak komplikime dhe cilësi më të mirë të jetës për pacientët.
ABIBE QAILI
